Grupi i hakerave “Homeland Justice” që mbështeten nga Irani sulmuan faqen e web-it të Bashkisë së Tiranës në 20 qershor 2025, duke e nxjerrë jashtë funksionit.
Në një reagim zyrtar, bashkia tha se ka pasur një problematikë të serverëve të saj, ku për këtë arsye linku i platformës për regjistrimin e fëmijëve në kopshte nuk është funksionale. Kjo bëri që bashkia të pezullojë procesin e aplikimeve.
Teksa kanë kaluar katër ditë nga sulmi kibernetik, platforma nuk është ende funksionale, teksa tashmë është vendosur që aplikimi të bëhet fizikisht.
“Për sa më lart ju informojmë se në datat 25,26,27 dhe 30 qershor 2025 mund të paraqiteni në Drejtorinë e Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve për të kryer aplikimet për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe kalimet nga çerdhja në kopsht, për të gjithë ju që nuk arritët të aplikonit në platformë në datat 2-20 qershor 2025”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve.