Sulmi me shigjeta në Norvegji, shkon në 5 numri i viktimave

BOTA


Ka shkuar në pesë numri i viktimave nga sulmi i mbrëmjes së kaluar në Norvegji, ku një burrë doli në rrugë dhe qëlloi qytetarët me hark e shigjeta. Ngjarja tragjike ndodhi në qytetin Kongsberg, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e një sulmi terrorist.

“Për fat të keq mund të konfirmojmë se ka disa të plagosur dhe gjithashtu për fat të keq disa të vrarë në këtë episod”, citohet të ketë thënë zyrtari i policisë, Oyvind Aas, në një konferencë shtypi, duke shtuar se “Njeriu që kreu këtë akt është arrestuar nga policia dhe, sipas informacioneve tona, është vetëm një person i përfshirë”.


Ai nuk pranoi të komentojë numrin e viktimave, por transmetuesi NRK raportoi se të paktën katër persona ishin vrarë.

Sulmet ndodhën në një “zonë të madhe” të Kongsberg, ndërsa i dyshuari lëvizte nëpër qytet, tha policia.

Mediat lokale raportuan se i dyshuari filloi sulmin nga brenda një supermarketi Coop Extra në perëndim të qytetit.

Oficerët kanë rrethuar zona të mëdha të qytetit, një bashki me rreth 28,000 njerëz në Norvegjinë juglindore, 82 km nga Oslo, dhe i bënë thirrje publikut të qëndrojë në shtëpi.

Policia tha se i dyshuari ishte dërguar në një stacion policie në qytetin e afërt të Drammen, por nuk dha detaje të tjera rreth burrit.




Skip to toolbar