Opozita shtyn protestën, respekton Natën e Kadrit dhe… Ditën e Edit

Opozita ka “ndërruar” mendje, duke vendosur shtyrjen me dy ditë të protestës së lajmëruar për datën 31 maj. Vendimi për shtyrjen e protestës në datën 2 qershor është marrë gjatë ditës së sotme nga PD dhe aleatët e saj.

Ky vendim ka ardhur një ditë pasi Partia Socialiste ka vendosur që të hap zyrtarisht fushatën më 1 qershor, pasi kishte lajmëruar më herët se do ta niste fushatën për zgjedhjet lokale më 31 maj.

Mirëpo të shtunën, pas protestës së gjashtë kombëtare, opozita vendosi që të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, duke zgjedhur si datë të mbajtjes së saj 31 majin, ditën kur PS kishte lajmëruar nisjen e fushatës elektorale.

Por duket se Partia Demokratike me këtë vendim ka respektuar edhe vendimin e PS, dhe ka zgjedhur të ndryshojë datën e protestës së radhës, duke caktuar 2 qershorin si ditën kur do të zhvillohet protesta e shtatë kombëtare.

Sipas opozitës, shkaku i shtyrjes së kësaj proteste është se data 31 maj është vendosur si Nata e Kadrit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Në këtë natë besimtarët myslimanë i përkushtohen adhurimit të Zotit dhe lutjeve në muajin e Ramazanit, duke shmangur angazhime të tjera.

Ndaj dhe opozita ka vendosur që në këtë ditë të mos zhvillojë protestën, por t`i lejojë njerëzit të kryejnë ritet e tyre fetare. Por një rrugë e dy punë: ka respektuar kalendarin mysliman, por edhe atë të Selisë Rozë.

Skip to toolbar