Botaniku, Mazniku: Parku s’tjetërsohet. “Truri” i projektit do jetë universiteti

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në lidhje me debatin për Kopshtin Botanik. Së pari, Mazniku sqaroi se bashkia e Tiranës nuk synon tjetërsimin e Kopshtit Botanik, por synimi është që parku të jetë i hapur për qytetarët. “Jemi përpara një shansi të humbur për qytetin. Është një diskutim që ka nisur prej një viti. Për shumë vite Kopshti Botanik është lënë në situatë të degraduar. Kemi kërkuar që të gjejmë një marrëveshje me universitetin, që ata të ruajnë funksionet akademike, por nëpërmjet investimeve të kemi një mundësi për të krijuar një Kopësht Botanik që të jetë i hapur dhe për qytetarët. I vetmi interes që ka bashkia është që parku të jetë i hapur dhe për qytetarët”, u shpreh Mazniku.

Duke sqaruar se Universiteti i Tiranës nuk ka mundësi financiare për të investuar, ndërsa nga biletat janë grumbulluar vetëm 15 mijë lekë, Mazniku dha garanci se Kopshti Botanik nuk do të tjetërsohet. “Kemi dy elementë të rëndësishëm të kësaj garancie, së pari ligji dhe së dyti VKM-ja që thotë se “nuk mund të ndryshohet destinacioni i kësaj prone”. Marrëveshja mes bashkisë dhe universitetit do të jetë pjesë e dokumentave hipotekore, që do të thotë jo tani po as në të ardhmen nuk do të preket parku. Gjasat janë zero për të ndërtuar kulla. Është e ndaluar me VKM. Së dyti marrëveshja me universitetin mund të ketë pika për këtë. Nuk është në interesin e bashkisë Tiranë tjetërsimi”, tha Mazniku.

Në lidhje me pronësinë, çështja më e diskutueshme për momentin, Arbjan Mazniku sqaroi se Kopshti Botanik nuk është pronë e universitetit, por vetëm administrohet. Sipas tij, edhe në të ardhmen, prona do të administrohet mes bashkisë së Tiranës dhe universitetit. “Universiteti i Tiranës nuk e ka pasur Kopshtin Botanik në pronësi të tij. Këto janë prona shtetërore, në administrim të universitetit përkatës. Diferenca është se ka kaluar akti i pronësisë nga universiteti te bashkia e Tiranës. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe. E vetmja arsye është se për sa kohë ne po investojmë taksa të qytetarëve në një pronë, duam që ato para të kanalizohen në një aset që është i bashkisë së Tiranës. Universiteti do vazhdojë të ruajë të drejtë bashkëdministrimi me bashkinë Tiranë”, tha Mazniku.

Më tej, Mazniku sqaroi edhe se projekti për rehabilitimin e Kopshtit Botanik, do të hartohet në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave të Natyrës. “Ne u kemi kërkuar atyre që të krijonim një grup pune të përbashkët për marrëveshjen dhe më pas për projektin e investimin. Ne besojmë se aty ka një punë të madhe të kërkuesve shkencor. Ne s`mund të bëjmë një projekt në mënyrë të njënashme. Duhet të jetë mendja shkencore dhe muskuli i infrastrukturës”, tha Mazniku.

Më tej, ai drejtoi akuza ndaj Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, që sipas Maznikut pranoi të bashkëpunonte dhe më pas u tërhoq. “Unë besoj se sjellja e rektorit ka qenë problematike. Së pari ka ardhur në zyrën e kryetarit të bashkisë, i dhanë dorën njëri-tjetrit, dhe më pas u tërhoq. Me sa duket, aty, ato pesë lekshat e nuseve, paskan qenë të rëndësishme për dikë. Aty skanë inters shkencën, por pesë lekshat e nuseve dhe tenderin e rojeve. Ligjin e arsimit nuk e shkel askund, as autonominë universitare nuk e shkel askund”, tha Mazniku. /Realstory.al/

Skip to toolbar