Mbi një minidebat në Real Story: e vërteta e sjelljes së Ramës me Nishanin

Minutat e fundit të Real Story-t të së enjtes, u karakterizuan nga një përfolje e faktit se si ishte sjellë kryeministri Rama me ish-presidentin Nishani, duke u fokusuar te akti i zëvëndësimit të portretit të tij në administratën shtetërore, me atë Ismal Qemalit, njeriut të pavarësisë e njëherësh themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar. Dhe gati pati një dakortësi mes të gjithë aktorëve në tryezë, përfshirë dhe moderatorin Balla, se ai paskësh qenë një gjest arrogant i Ramës. E kjo, ndaj Nishanit.

Në ca pak minuta sa u trajtua ai zhvillim i 6 viteve më parë, u konsiderua si një gjest anti-president i kryeministrit të saponisur në rrugën e qeverisjes. Por nuk ka qenë krejt kështu. Eshtë thjesht një këndvështrim i gabuar.

Vendimmarrja e Ramës për të ndërhyrë në protokollin e shtetit me zëvëndësimin e portretit, nuk u shoqëruar aspak me ndonjë anti-Nishanizëm në gjuhë; pra, në asnjë rast Rama nuk tha se Nishani (pra, përmendje me emër), nuk e meriton të jetë aty. Rama potencoi idenë, bërë fët e fët reale, se ai vend i përket Ismail Qemalit. Sipas arsyetimit të tij, kjo jo vetëm do i jepte dinjitetin e merituar asaj figure me peshë të madhe historike në themelimin e shtetit, por do evitonte dhe praktikën e zëvëndësimit të qindra portreteve në zyrat e shtetit – vë e hiq – sa herë ikte një president e vinte një tjetër.

Ndërkohë, as para e as mbas, në asnjë rast Rama nuk është marrë më goditje deklarative ndaj Nishanit, edhe pse ky i fundit nisi haptazi të kishte krahmbajtje politike nga partia e tij, për aq sa mundej brenda kompetencave si kreu i shtetit. Madje bëri bujë një thirrje drejtuar institucioneve të shtetit, që sipas tij duhet të përballonin atë çfarë i priste me qeverinë e re, një veprim pa precedentë të mëparshëm dhe pa asnjë arsyetim institucional, përveçse qartazi politik.

E nga ana tjetër, duhet kujtuar një sjellje e Ramës ende pa ardhur në pushtet karshi Nishanit. Në ceremoninë e betimit të këtij të fundit si president, i cili u zgjodh nga PD në injorim të plotë të opozitës, e madje në një kohë tensioni të madh politik, siç ishte 2012-ta, Rama shkoi në ceremoni duke respektuar solemnitetin e një zhvillimi me vokacion shtetëror, pse jo dhe politik, gjë që vështirë se do ndodhte nga kahja e kundërt. Ashtu siç nuk ka patur gjasë të ndodhte në të kundërt ajo rrahje shpatullash që Rama i bëri Berishës nën zjarrin e Gërdecit. Duke qëndruar te Nishani, presidenca e tij, që me ardhjen në pushtet të PS-së qartazi u opozitizua, Rama është mjaftuar të thotë se paçka qëndrimeve aspak jopresidenciale të Nishanit, ai nuk po quhej “horr bulevardi” siç paraardhësi.

P.S. Rama ka plot paudhësi për t’u vënë me shpatulla për muri, për t’ja vënë në ballë tytën e ekzekutimit mediatik mbi llojin e qeverisjes, ku mjafton ekonomia në zgrip e një administratë plot grykësa e tutkunë. Ose do mjaftonte Meta, njolla më e madhe e vendimmarrjeve të tij politike. Për ca të tjetra, përfshirë dhe sjelljen me Nishanin, jepi hakun. /tesheshi.com/

Skip to toolbar