Gjermania mesazh opozitës: Mos bllokoni reformat. Nuk vendosëm kushte të tjera

Ministri Gjerman i Evropës, Michael Roth, shprehet prerë; Shqipëria ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave për anëtarësim. Këtë qëndrim, Roth e mbajti në një intervistë dhënë për Deutsche Welle. Ai tregoi se “shpreson që në 15 tetor në Bruksel të ketë sukses për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”. “Tani kjo ndodhi dhe shpresoj që më 15 tetor në Bruksel do të kemi sukses së bashku në dhënien e dritës jeshile për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut, por edhe me Shqipërinë”, shprehet Roth. Ndërsa shton se dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme.

“Ne kemi nevojë për unanimitet në Këshillin Evropian. Të dy vendet kanë bërë përparime të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi ynë, kushtet janë përmbushur që të fillojnë negociatat e pranimit. Por, natyrisht, ka ende shumë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit. Edhe çështja e pajtimit në rajon është ende sprovë, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam më optimist se para gjashtë muajsh, sepse në fund të fundit duhet të dërgojmë sinjale pozitive inkurajuese në Ballkanin Perëndimor. Përpjekjet ia vlejnë”, shprehet ai.

Franca ende nuk është shprehur nëse do të thotë  “PO” për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Michael Roth tregon se “Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm”, duke dhënë një mesazh indirekt për vendet skeptike. “Bashkimi Evropian duhet të jetë i besueshëm dhe t’u qëndrojë angazhimeve të tij. Dhe, nëse kushtet janë përmbushur, atëherë duhet të bëjmë edhe ne një hap përpara. Shpresojmë se do ta bëjmë këtë tani, por është e qartë për të gjithë se ky është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të vështirë. Ne nuk jemi në prag të anëtarësimit, por në fillim të negociatave të anëtarësimit”, shprehet Roth.

Michael Roth i jep përgjigje dhe opozitës në Shqipëri, nëse pikat e vendosura nga Bundestagu Gjerman janë kushte apo jo. Ai shprehet se Parlamenti në Gjermani nuk formulon kushte, këtë tagër e ka Komisioni i BE-së. “Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me  numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor. Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu  ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita”, shprehet Roth.

Më tej, ai i kërkon opozitës që të jetë konstruktive, duke hequr bllokadat për Reformën Zgjedhore. “Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mua më ka konfirmuar qeveria shqiptare se do ta konsultojë draftin e saj me OSBE/ODIHR-in. Në këndvështrimin tim , kështu  do të sigurohet plotësimi i kushtit që kërkon që ligji zgjedhor të marrë parasysh edhe kërkesat e OSBE-së. Pastaj pjesa tjetër është në dorë të deputetëve. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv”.

“Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë. Por nuk janë kushte të reja, ato tani do të përmbushen shumë shpejt, kështu që për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë. Përkundrazi. Çdo gjë do të shkojë mirë”, shprehet Roth. Kujtojmë se të mërkurën opozita publikoi një paketë me 5 kushte drejtuar qeverisë për të marrë pjesë në hartimin e Reformës Zgjedhore.

Ministri gjerman Roth: Në qershor të hapen negociatat për Shqipërinë

Kur është fjala për integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Michael Roth thekson se BE duhet të marrë një vendim në qershor për fillimin e bisedimeve të pranimit të këtyre dy vendeve. “Ne qëndrojmë në fjalën dhe duhet të mbajmë angazhimet tona,” tha Ministri i Shtetit në Zyrën e Jashtme për “Der Tagesspiegel”. Politikani i SPD-së, Roth rikujtoi se një vit më parë “BE kishte vendosur një afat të qartë kohor duke deklaruar se hapja e negociatave të pranimit për dy vendet e Ballkanit Perëndimor do të ishte në qershor 2019.”

Duke pasur parasysh zhvillimet politike dhe zgjedhjet e ardhshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qershori ishte “koha më e mirë për të vendosur mbi fillimin e negociatave të pranimit”, tha Roth. “Një votim pozitiv në kohën e duhur për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore kërkon pak guxim, por edhe më shumë vizion. BE nuk është vetëm për interesat jetikë të sigurisë, por edhe për kredibilitetin e saj” – tha Roth.

Komisioni Europian rekomandoi që krerët e BE të nisin negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ku të dy vendet u vlerësuan për zbatimin e “reformave mbresëlënëse në gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit”.

Skip to toolbar