“PD-së i intereson drafti i propozuar nga PS”, gazetari: Si nuk del një politikan të thotë ‘dua të jem i zgjedhur’?

Gazetari Ardian Thano argumenton se drafti i propozuar nga PS, i intereson edhe Partisë Demokratike. Në studion e “Real Story”, Thano foli për një krizë morale të shoqërisë apo të zgjedhurve nga kryetari çështjen e hapjes së listave sipas maxhorancës.

“Praktikisht PD-së, pavarësisht se çfarë mund të deklarojë publikisht Basha, kam përshtypjen që i intereson ky drafti i fundit i PS. Them se drafti i lë gjërat siç u bënë në 2008-ën. Përveç këtyre numrave dhe teknikave, do doja të hapim një parantezë të shkurtër. A është kjo vetëm krizë e kryetarëve të partive, apo është krizë morale e përgjithshme e shoqërisë apo dhe atyre të zgjedhurve nga kryetari? Përse një person që renditet tek zona e gjelbër ose një kryetar bashkie që është zgjedhur ashtu si është zgjedhur…si ka mundësi që nuk del dikush nga këta dhe të thotë shiko unë dua të jem i zgjedhur? Nuk dua të jem i emëruar, dua të jem i zgjedhur. Nuk dua që me 2 mijë vota të futem unë dhe me 10 mijë vota ai tjetri të mos futet dot në parlament, sepse ai e meriton më shumë se unë. Si ka mundësi nuk ekziston kjo? Mirë kryetarët që duan të ruajnë pozitat e tyre. Njerëzit që zgjedhin kryetarët janë këta, me këto cilësitë më të ulëta të personalitetit. Një person, i cili i është futur politikës, dreqi e mori në një moment do thotë ore jam politikan unë, dua të jem i zgjedhur. Çfarë përfaqësoj unë? Dua të jem i zgjedhur, nuk dua të jem i emëruar. Çfarë janë këta politikanë? Asnjëri prej tyre nuk ngrihet të thotë, shiko unë dua të jem i zgjedhur. Apo 61 kryetarët e bashkive rrinë atje… Çfarë kryetari je ti kur nuk të ka zgjedhur askush?”, deklaroi Adrian Thano, kryeredaktor “Gazeta Dita”.

Për Skënder Minxhozin, kryetarët e partive të mëdha janë ndjerë mjaft komodë këto vite me rolin e një patriarku të padiskutueshëm në krye të partive që drejtonin.

“Siç e dimë ne ishte sindroma e natës së fundit dhe lista që ata përcaktonin përcaktonte de fakto fatet e parlamentit të ardhshëm.
Afërmendsh nuk duan të lëshojnë. Ajo që predikojmë, hap listat, vër një kriter që kush të fitojë të fitojë është demokraci e kulluar. Sfida që i bën, hapja e listave të gjithë sistemit politik, shkon përtej këtyre zgjedhjeve. Dalja e këtij djalli nga shishja do të caktonte një precedent që do ishte i vështirë për t’u kthyer mbrapsht. Konservatorizmi që po tregon PS dhe PD në hije që nuk flet, ka diçka shumë të madhe”, deklaroi Minxhozi.

Skip to toolbar