A do shkarkohet Meta në 2020? Rakipllari: Mund të japë dorëheqjen

Përplasjet mes mazhorancës dhe kreut të shtetit Ilir Meta gjatë vitit 2019, çka sollën dhe ngritjen e një komisioni hetimor në Kuvend, me qëllim final shkarkimin e Presidentit ka qenë një tjetër temë diskutimi në Real Story në emisionin e fundit për këtë vit, ku gazetari Sokol Balla pyeti analistët e ftuar në studio, nëse Ilir Meta do të shkarkohet gjatë vitit 2020. Kësaj pyetje i është përgjigjur Robert Rakipllari, sipas të cilit Meta edhe mund të vetëlargohet nga zyra e presidencës.

“Për mua Ilir Meta nuk shkarkohet. Meta ka treguar se jep dorëheqjen në krahasim me kryeministrin e sotëm. Meta ka dhënë dorëheqjen kur ishte kryeministër apo zëvendëskryeministër. Unë nuk e shoh skenar të pamundur. Shkarkimi i tij është në një situatë të komplikuar”, tha Rakipllari. Ndërkohë, analisti Fatos Lubonja tha se pavarësia e presidentit nga kryeministri, provoi se është më mirë kur ekzistojnë dy forca se sa një.

“Meta provoi, si institucion i pavarur nga kryeministria, se kur ka dy forca është më mirë se sa një. Është më mirë se sa prirja për t’i pasur të gjithë rreshtuar pas një partie të vetme. A do jetë 2020 një pasurim në këtë drejtim? Unë them, po u shkarkua Meta është provë e qartë që kemi avancim”, tha Lubonja. Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi tha se presidenti është i shkarkueshëm. Megjithatë, sipas Manixhozit kriza humanitare e shkaktuar nga tërmeti, e ka lënë në plan të dytë politikën dhe viti 2020 do të karakterizohet nga zgjidhja e kësaj krize, që sipas tij është me shumë të panjohura.

“Meta ka disa pamje. Në 2019 ai tregoi se ka qenë në vendin e gabuar dhe ka bërë disa gjëra të gabuara. Unë mendoj e presidenti është i shkarkueshëm. Nëse politikë do e shohim si faktor pozitiv. Kriza e tërmetit për mua është edhe një e panjohur e madhe politike në 2020. Rama po mundohet të ndërtojë një histori suksesi. Kjo krizë e rëndë humanitare e ka nxjerrë krizën politike në vend të dytë”, tha Minxhozi. /Realstory.al/

Rakipllari e Lubonja, pesimistë për 2020, por besojnë te vendosja e ekuilibrave politikë

Analistët Robert Rakipllari dhe Fatos Lubonja besojnë se në 2020 Shqipëria do të ketë më shumë qëndrueshmëri në aspektin politik. Në “Real Story”, Rakipllari u shpreh se 2019 ka qenë një vit me shumë dështime. Por, sipas tij, problemi kryesor është bllokimi i sistemit politik. Ndaj, Rakipllari theksoi se mbetet optimist për shkak se po bëhen përpjekje për të zhbllokuar sistemin e politikës dhe për të risjellë ekuilibrat në vend.

“Dështimit të këtij viti, dua t’i shtoj dhe refuzimin e hapjes së negociatave. Refuzimi që na bëri Europa për negociatat, nuk ishte një refuzim rutinë. Ishte një refuzim në koncept, Franca tha se këto vende nuk janë gati të futen në BE. Unë nuk e shoh pa dritë në fund të tunelit të ardhmen. Për mua problem kryesor është bllokimi i sistemit tonë politik. Shqiptarët nuk ikin vetëm se nuk kanë të ardhme ekonomike, por edhe se nuk kanë mundësi të zgjedhin”, tha Lubonja.

“Ne duhet të rithemelojmë institucionin e zgjedhjeve të lira. Rama tha në 2017; ma lini mua timonin se di ta bëj më mirë. Nga ai moment ne kemi regres. Pas 2017 ne kemi rënie të mëdha, Shqipëria nuk po qeveriset mirë. Optimizmi im është se ka një përpjekje për të zhbllokuar sistemin e politikës, për të rikthyer sistemin e garës brenda partive. Minimumi që mund të na sjellë kjo është një pushtet i ekuilibruar. Unë besoj se me SPAK do të kemi ndëshkime”, tha Rakipllari.

Edhe për analistin Fatos Lubonja, ndonëse pesimizmi dominon në optikën e tij, përsëri ai sheh dritë në fund të tunelit. Lubonja beson se në 2020 futja e opozitës në sistem mund të vendosë balancat në politikën e vendit. “Ne përgjithësisht na dominon një lloj pesimizmi. Pyetja që ngre unë është; a mendojnë kështu ata që kemi në pushtet, kështu si ne? Apo ne analistët që flasim për këto shqetësime ata na shohin si “qen që lehim”. Nëse kemi një qeverisje që nuk mendon kështu, atëherë është problem e ardhmja e vitit që vjen. A kemi ne shpresë se dhe brenda kësaj partie të ketë lëvizje, jam më shumë pesimist se sa optimist.

Ky Prokurori i Përgjithshëm, që është i pavarur, a kemi ndonjë shpresë nga ky? Ai ka prova konkrete! Kjo prapë të çon te pesimizmi. Futja e opozitës në lojë mund të balancojë gjëra dhe disa probleme mund të trajtohen. Por nuk duhet të harrojmë se kemi një opozitë, që dhe kulturalisht dhe nga mëyra se si është imponuar dialogu politik, mund të na çojë në një konflikt ose në eliminim të opozitës. Situata e 2020 mund të na çojë në kontroll të mëtejshëm të pushtetit nga Edi Rama dhe me stabilitet, por mund të na çojë në një degjenerim. Nuk jam shumë optimist”, tha Lubonja. /Realstory.al/

Protestat dhe ndërkombëtarët, Lubonja përplaset me Minxhozin e Rakipllarin

Krahasimi mes vitit 1997 dhe vitit 2019 për zhvillimet politike ka sjellë edhe një debat në Real Story mes të ftuarve të Sokol Ballës, ku analisti Fatos Lubonja u shpreh se ndërkombëtarët në Shqipëri, si në atë kohë, edhe sot, kanë qenë gjithmonë me pushtetin.

Lubonja kujton se edhe në vitin 1997, kur sipas tij, njerëzit e Berishës rrihnin gazetarët dhe nuk kishte fjalë të lirë, ndërkombëtarët ishin me ish-presidentin. Sipas tij, edhe më 2019, ambasadorët në Tiranë po mbështesin një regjim. “Një ndryshim në lidhje me ndërkombëtarët, shkurt. Ndërkombëtarët, mos të harrojmë se edhe atëherë kanë qenë deri vonë, deri në shkurt të vitit 1997 mund të themi me pushtetin dhe jo me opozitën, me gjithë ata gjëra që kanë ndodhur. Dhe vetëm kur e bëri fakt të kryer situatën, për mendimin tim populli që u ngrit dhe gjithë ajo katrahurë që u krijua, dhe një shkrim i famshëm i ‘Indipendent’ i asaj kohe ‘Ky regjim gangsterësh që ne mbështesim’, që ne mbështesim ose financojmë nuk e mbaj mend saktë, atëherë filloi ndryshimi”, tha Lubonja.

Kjo është komentuar edhe nga Robert Rakipllari, që sipas tij ishte e gabuar. “Ai rezultoi një veprim i gabuar, i cili i la mundësinë kryeministrit që të shtonte pushtetin e tij në parlament, në pushtet lokal etj dhe sot jemi para kësaj situate, ku kryeministri Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri”, tha Rakipllari, duke i kujtuar Lubonjës se në atë kohë amerikanët kundërshtuan zgjedhjet lokale që më 1996 dhe përplasja e ish-presidentit Berisha me amerikanët ka nisur që me zgjedhjet.

Duke folur mbi çështjen e zgjedhjeve të vitit 1997, Skënder Minxhozi kujtoi se në atë kohë, SHBA ka kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve në 40 zona, ndërsa Berisha i përsëriti në 18 zona. “Pasi ai nuk pranoi 40 zonat, të gjithë perëndimorët kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve të 26 majit”, tha Minxhozi.

Pjesë nga debati në Real Story

Fatos Lubonja: Në tërësi ka qenë mbështetje e gjerë e tyre dhe ne që bënim protesta atëherë, meqë më përmendi amerikanët se nuk doja të kthehesha te 1997, kur kam shkuar për t’u ankuar se na rrahu Sali Berisha ose na mbylli, ku di unë aty më tha ajo e të drejtave të njeriut të ambasadës, që unë jam shumë e lumtur që kam ngrënë dje, parmbrëmë një darkë me presidentin Berisha. Pra ky ka qenë qëndrimi në tërësinë e vet. Për mua, këtu ka munguar populli dhe a e bënte dot, që ndodhi gjithë ajo ngjarje dhe u ndërhy pastaj u bë siç e dimë. Mos harrojmë se Berisha u zgjodh edhe më 3 mars, u bë president pa e çarë kokën, kur u dogj gjithçka. Këtu tani vijmë tek e sotmja, te situata e sotme. Nuk jam dakord me Bertin për një gjë, se Berti e quan pjekuri të popullit shqiptar këtë.

Robert Rakipllari:  Emancipim të shoqërisë shqiptare në një farë mënyrë që nuk shkon në përplasje them unë.

Fatos Lubonja: Jo, jo, për mua jo. Unë them këtë. Për mua këtu nuk kemi të bëjmë me emancipim. Këtu është zhgënjim me klasën politike, mungesë besimi për t’u …sepse situatat që të dalësh e të kërkosh një ndryshim me forcë, nuk po them duke djegur, duke vrarë ose duke u bërë, se dhe atje protesta bënin, vrasjen e bëri Berisha. Kjo nuk është pjekuri e popullit shqiptar, por një zhgënjim dhe nënshtrim për mua Opozita u motivua për paratë e jo për demokracinë. Se më 1996 dolën 3 mace aty. 1994 e kapërceu ai, mbështetje kishte, Forestin me vete. 1996 e bëri, pushtetin e mori.

Skënder Minxhozi: U rrëzua pastaj.

Fatos Lubonja:  Po mos kishin rënë Piramidat, do të kishim diktatorin.

Robert Rakipllari:  Kishte shumë popull që mbështeste opozitën këtë vit, nuk mund ta injorojmë.

Fatos Lubonja: Kishte popull, por jo aq sa duhej.

Skënder Minxhozi: Popull nuk kishte. Nëse kishte popull, pse nuk prodhoi asgjë?

Fatos Lubonja:  E patë ju çfarë bëri Astiri? Sepse u vodh vetë, jo se ka koshiencë. Është pyetja ne do presim të bëhemi si Astiri? Duhet të mësojmë që mos shkojmë te Astiri.

Skip to toolbar