“Të klonuarit e maxhorancës”, Tritan Shehu akuzon grupin e Alibeajt. Reagimi: Tërhiqi fjalët!

Më të fundit


Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka akuzuar maxhorancën dhe deputetët e grupit të Alibeajt se kanë hequr emrat e tyre nga lista e diskutuesve. Shehu tha se maxhoranca e përdor rregulloren sipas dëshirës dhe kërkoi baraspeshim e drejtësi, në një kohë kur flitet për integrimin.

Ai akuzoi grupin e Alibeajt se duke marrë shembullin e maxhorancës duke u bërë kopja e saj, duke u bërë të klonuarit e saj “na e heqin ne emrin në mënyrë të turpshme, në mënyrë të padrejtë”.


“Ju e lexoni rregulloren si tju vijë për mbarë, e ndryshoni për momentin, hapni arkivat, nxirrni atë që doni. Ne një grup deputetësh kemi paraqitur prej kohësh një kërkesë për një mocion me debat për gjenocidin serb në Kosovë. Nuk ka asnjë përgjigje. A ka një precedencë që Kuvendi të mos e marrë në shqyrtim? Nuk ka. Unë ju kërkoj të mbani baraspeshim dhe të bëni drejtësi se pastaj flasim për integrim dhe BE, si mund të flasim për BE dhe integrim kur demokracia është shkatërruar këtu. Kur ju keni frikë të vini gishtin mbi plagët e rajonit tonë siç është gjenocidi serb në Kosovë sepse ata që duan të na mbajnë këtë rajon jashtë BE-së Vuçiç me shokë, detyrojnë këtë parlament të heshtë dhe ku shkojmë kështu. Dhe pastaj hapim një mocion me debat për integrimin europian. Dhe atje ndodh një gjë e shëmtuar shumë nga të tjerë shëmbëlltyra tuajat, të cilët na heqin ne emrat nga grupi parlamentar i PD-së në këtë diskutim. Duke marrë shembullin tuaj, duke u bërë kopja juaj, duke u bërë të klonuarit tuaj na e heqin ne emrin në mënyrë të turpshme, në mënyrë të padrejtë. Kam qenë ministër i Jashtëm dhe të mos kem të drejtë të flas për integrimin. Na është hequr e drejta dhe shumë kolegëve të tjerë. Ky është një turp i botës që bëhet nga këta që kujtojnë se drejtojnë një pjesë të njerëzve këtu që kanë marrë me vete figura dhe pozicione absolutisht surreale. Kështu nuk shkohet në integrim duke shkatërruar rregullore, ju në një anë, këta që janë para meje në anën tjetër. Ju i shkelni si parlament, këta këtu shëmbëlltyrat tuaja i shkelin brenda grupit. Kjo tregon se ka një lidhje të madhe të dy palëve”, tha Shehu.

Nga ana tjetër kreu i grupit të PD Enkelejd Alibeaj i kërkoi të tërheqë fjalët. “Këtu nuk bëhet pazar me askënd. Kushdo që përdor fjalët; të shitur te Rama, të lidhur me Ramën, t’i tërheq fjalët se është turp!”, tha Alibeaj.




Skip to toolbar