Të miturit alarmojnë policinë në Kavajë, hapet me forcë dera e KZAZ-së

AKTUALITET


Policia ka bërë të ditur se është dëmtuar dera e KZAZ Nr. 42, në Kavajë, ndërsa sipas të dhënave të para nuk është konstatuar mungesë apo dëmtim i ndonjë sendi dhe dokumentacioni.

Sipas policisë, njoftimi është bërë nga anëtarët e KZAZ-së në shkollën “26 Marsi”, shkollë aktualisht jashtë funksionit, por pas hetimeve është zbuluar se kanë qenë disa të mitur ata që kanë hapur me forcë derën.


“Më datë 23.04.2023, është marrë njoftim nga anëtarët e KZAZ Nr. 42, në Kavajë, se është dëmtuar dera hyrëse e kësaj KZAZ-je, në shkollën “26 Marsi”, shkollë aktualisht jashtë funksionit.

Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe kanë kaluar në vendngjarje dhe nga hetimet e para paraprake dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, nuk është konstatuar mungesë apo dëmtim i ndonjë sendi dhe dokumentacioni i KZAZ.

Nga hetimet paraprake dyshohet se dera është hapur me forcë nga disa të mitur, që frekuentojnë ambientet e shkollës pasdite.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorit/ëve”, njofton policia.




Skip to toolbar