Telefonata Biden-Netanjahu: Një ekip izraelit do të vizitojë Uashingtonin

BOTA


Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi të hënën kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu se një operacion ushtarak izraelit në Rafah do të përshkallëzonte anarkinë në Gaza dhe dy udhëheqësit ranë dakord që një ekip nga Izraeli të vizitojë Uashingtonin për ta diskutuar për gjendjen, tha Shtëpia e Bardhë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, u tha gazetarëve se ekipet e dy vendeve do të mbajnë bisedime gjithëpërfshirëse për hapat e mëtejshme në Gazë, ku po shpaloset një krizë humanitare.


Takimi mund të mbahet këtë javë ose javën e ardhshme, tha zoti Sullivan, duke shtuar se nuk do të ndërmerret asnjë operacion në Rafah përpara bisedimeve.

“Anarkia mbretëron në zonat që ushtria izraelite i ka spastruar, por nuk i ka stabilizuar” në Gazë dhe kriza humanitare do të thellohej nëse Izraeli do të vazhdonte me ofensivën në Rafah, tha zoti Sullivan, duke përmbledhur mesazhin e zotit Biden për kryeministrin Netanjahu.

Zoti Sullivan tha se Presidenti Biden kishte hedhur përsëri poshtë të hënën arsyetimin se të ngresh pikëpyetje për operacionin e mundshëm në Rafah është njëlloj si të ngresh pikëpyetje për nevojën e mposhtjes së Hamasit.

“Qëndrimi ynë është se Hamasi nuk duhet të lejohet të strehohet në Rafah apo kudo tjetër, por një operacion i madh tokësor atje do të ishte i gabuar. Kjo do të shkaktonte më shumë vdekje mes civilëve të pafajshëm, do të përkeqësonte krizën humanitare, do të thellonte anarkinë në Gaza dhe do të izolonte më tej Izraelin ndërkombëtarisht”, tha zoti Sullivan.

Ai tha se vizita e delegacionit izraelit do të krijonte mundësinë për “një diskutim gjithëpërfshirës, të integruar dhe strategjik…”

Marrëdhëniet mes dy udhëheqësve janë bërë gjithnjë e më të tensionuara për shkak të Gazës.

Zoti Sullivan tha se gjatë bisedës, Presidenti Biden nuk kishte paralajmëruar për ndonjë kufizim të ndihmës amerikane për Izraelin.

Zoti Biden i tha zotit Netanjahu se ai duhet të ketë ai një strategji koherente për Gazën, tha këshilltari Sullivan, dhe jo të hyjë në Rafah.

Presidenti Biden rikonfirmoi mbështetjen e SHBA-së për përpjekjet izraelite për të shkatërruar militantët e Hamasit që sulmuan Izraelin më 7 tetor.

Zoti Sullivan konfirmoi gjithashtu se Marwan Issa, personi numër tre në komandën e Hamasit, u vra gjatë një operacioni izraelit javën e kaluar. Hamasi nuk ka komentuar lidhur me këtë njoftim.

Telefonata mes dy udhëheqësve ishte e para që nga 15 shkurti dhe vjen në mes të tensioneve të mprehta midis Izraelit dhe aleatit të tij më të palëkundur lidhur me luftën në Gazë.

Zoit Netanjahu tha se gjatë bisedës ishte diskutuar angazhimi i Izraelit për të arritur të gjitha objektivat e luftës: eliminimin e Hamasit, lirimin e të gjithë pengjeve dhe të sigurohet që Gaza nuk do të përbëjë më kërcënim për Izraelin.

Kjo do të bëhet “duke dhënë ndihmën e nevojshme humanitare që ndihmon në arritjen e atyre qëllimeve,” tha ai në një deklaratë.

Në një fjalim të enjten, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, një mbështetës i kahershëm i Izraelit dhe zyrtari më i lartë i zgjedhur hebre në SHBA, bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael dhe tha se zoti Netanjahu është pengesë për paqen.

Një ditë më pas zoti Biden e vlerësoi fjalimin dhe tha se senatori Schumer u kishte bërë jehonë shqetësimeve të shumë amerikanëve.

Kryeministri Netanjahu u përgjigj ashpër të dielën, duke thënë në një intervistë për CNN-in se fjalimi i zotit Schumer ishte “krejtësisht i papërshtatshëm”.

Ai ripohoi në një takim të kabinetit të tij të dielën se forcat izraelite do të futen në Rafah, vendi i fundit relativisht i sigurt në Gazë, pavarësisht presionit ndërkombëtar që Izraeli të shmangë viktima të mëtejshme civile.




Skip to toolbar