Tenderi për drutë/ Babë e bir kontaktuan 2 persona me rekorde kriminale që të kërcënonin biznesmenin

AKTUALITET


Algert Alcani 27 vjeç dhe Shaqir Alcani 62 vjeç, babë e bir, janë personat të cilët kishin pajtuar dy persona të tjerë për të kërcënuar biznesmenin Erald M. që të tërhiqej nga një tender publik që kishte fituar nga Bashkia e Tiranës.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci raporton se bëhet fjalë për një tënder me lëndë drusore, për të cilën kishin shfaqur interes dy kompani. Njëra e përfaqësuar nga administratori Erald M. dhe kompania tjetër Alcani, që zotërohet nga babë e bir Shaqir dhe Algert.


Por fituese u shpall kompania e biznesmenit Erald M. Pas këtij momenti, Algert Alcani 27 vjeç dhe Shaqir Alcani 62 vjeç kontaktuan dy persona me rekorde kriminale, siç ka mësuar gazetarja Glidona Daci, që të kërcënojnë me jetë biznesmenin dhe familjen e tij me qëllim që ai të tërhiqej nga tenderi publik.

Këta persona janë Edmir Boci 37 vjeç i arrestuar tashmë dhe një person i katërt 38 vjeç, i cili është ende në kërkim nga policia dhe forcat RENEA janë në terren.

Por pavarësisht kërcënimit, administratori Erald M. nuk u tërhoq nga tenderi dhe denoncoi në polici.

Hetimet kanë zgjatur 1 muaj dhe u finalizuan me arrestimin e 3 personave, kurse një i katërt në kërkim.




Skip to toolbar