Thaçi, delegacionit francezo-gjerman: Taksa nuk hiqet, dialogu duhet të vazhdojë

KOSOVA


​Një delegacion francezo-gjerman ka vizituar sot Kosovën, ku ka pasur takime me krerët e shtetit të Kosovës për Samitin e Parisit. Ky delegacion në përbërje ka vetëm zyrtarë përgjegjës për rajonin tonë në ministritë e jashtme të Francës dhe Gjermanisë.

Takimin e parë e kanë zhvilluar me Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ku ky i fundit ka deklaruar se taksa 100 për qind për produktet serbe nuk do të hiqet. “Dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”, deklaroi Thaçi. Gjithashtu, presidenti u shpreh se “Kosova nuk do të pranojë kritere tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”.


Presidenti Thaçi kërkoi që qytetarët e Kosovës të mos mbahen të izoluar padrejtësisht dhe të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Në fund, presidenti Thaçi u shpreh se Kosova mbetet e përkushtuar për dialogun që duhet të përfundojë me marrëveshjen paqësore gjithëpërfshirëse, e cila do të sjellë njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Delegacioni i përbërë nga zyrtarë të Francës dhe të Gjermanisë është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj. Ndërsa, pas këtij takimi, delegacioni do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.




Skip to toolbar