Thaçi kërkon ndihmën e BE: Të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe

AKTUALITET


Pas Pacollit edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas deklaratës së kryeministres serbe Ana Brnabiç e cila tha se “shqiptarët e Kosovës vijnë nga mali”. Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Thaçi tha se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.

Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që sa më shpejt ta dënojë dhe të distancohet nga kjo “gjuhë raciste” e zyrtarëve të Serbisë, e cila, sipas tij, nxit urrejtje dhe i minon përpjekjet për pajtim dhe normalizim.


“Ky veprim nuk paraqet asgjë të re dhe të jashtëzakonshme për ne, sepse ne e dimë shumë mirë karakterin gjenocidial të Serbisë së djeshme dhe asaj të sotme”, tha Thaçi.

“Por, i jashtëzakonshëm dhe zhgënjyes për ne është vetëm fakti i hidhur që BE-ja nuk e dënon këtë sjellje raciste dhe antievropiane të Serbisë. Përkundrazi, BE-ja vazhdon t’i mbajë dyert e hapura për një shtet që ka kryer gjenocid dhe që nuk beson në vlerat evropiane as sot”, tha Thaçi.

Brnabiç i bëri komentet të mërkurën, kur ambasadori i BE-së, Fabrizi, i dorëzoi Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Pas deklaratës së kryeministres serbe reagoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, i cili madje tha se nuk do lejonte kurrë që Brnabiç të shkelte në Kosovë.




Skip to toolbar