The Economist: Shqipëria bën përmirësim në Indeksin e Demokracisë

BOTA


Shqipëria është vlerësuar si një nga 10 performuesit më të mirë në Indeksin e Demokracisë së vitit 2022, të sapopublikuar nga The Economist.

Shqipëria renditet në vendin e 64 nga vendi i 68, që ishte në vitin 2021 dhe 71 në 2020-n, me 6.41 pikë. Më mirë në rajon vijon të mbetet Mali i Zi në vendin e 61 (i pandryshuar).


Përkeqësim ka shënuar Serbia, që ka zbritur në vendin e 68 (-5). Maqedonia është përmirësuar me një pikë, duke u ngjitur në vendin e 71. Demokracinë më të ulët në rajon e ka Bosnjë-Hercegovina, në vendin e 97.

Kosova nuk përfshihet në këtë renditje.

Indeksi i Demokracisë bazohet në pesë kategori: procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike dhe liritë civile.

Bazuar në rezultatet e tij në një gamë të indikatorëve brenda këtyre kategorive, secili vend më pas klasifikohet si një nga katër llojet e regjimit: “demokraci e plotë”, “demokraci me probleme”, “regjim hibrid” ose “regjim autoritar”.

Në 2021, vendi ynë hyri për herë të parë në grupin e dytë të vendeve të ashtuquajtura demokraci me probleme (ku zgjedhjet janë të lira dhe ka të drejta civile, por ka probleme si liria e medias apo ndrydhja e opozitës dhe krizës).

Më herët, Shqipëria renditej në grupin e tretë të vendeve me demokraci hibride (kombinim i regjimit politik që shpesh krijohet si rezultat i një kalimi jo të plotë nga një regjim autoritar në një regjim demokratik). Grupi i parë është ai i demokracisë së plotë dhe i katërti i ai autoritar.

Në vitin 2022, rezultatin më të lartë Shqipëria e ka në treguesin e lirive civile me 7.35 pikë.

Treguesi i dytë me pikëzimin më të lartë është procesi zgjedhor dhe pluralizimi (7 pikë), i ndjekur nga funksionimi i qeverisë (6.43) dhe kultura politike (6.25).

Treguesi me rezultatin më të dobët është ai i pjesëmarrjes politike, me vetëm 5 pikë.

Pak përmirësim i demokracisë në botë në 2022

Në vitin 2022 në botë nuk u shënua përmirësimi i Indeksit të Demokracisë, ndryshe nga sa pritej për shkak të lehtësimeve të kufizimeve pas pandemisë.

Sondazhi vjetor vlerëson gjendjen e demokracisë në 167 vende në bazë të pesë treguesve, (procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura politike demokratike dhe liritë civile) që kanë një rezultat maksimal prej 10 pikësh.

Sipas raportit, pothuajse gjysma (45.3%) e popullsisë së botës jeton në një lloj demokracie, ndërsa më shumë se një e treta (36.9%) jetojnë nën sundim autoritar. Rezultati global prej 5.29 nga dhjetë, një rritje prej vetëm 0.01 nga viti i kaluar, përfaqëson stanjacion dhe jo tendencë përmirësimi.

Një arsye pse pritej një përmirësim ishte heqja e kufizimeve të lidhura me pandeminë në vitin 2022. Kufizimi i lirive individuale, i synuar fillimisht për të mbrojtur njerëzit nga Covid-19, ndikoi negativisht në ecurinë e treguesit në 2020 dhe 2021.

Por çdo përmirësim në 2022 u kompensua nga zhvillimet negative diku tjetër. Për më tepër, Kina – shtëpia e gati një të pestës së popullsisë së botës – i dha fund politikës së saj zero-covid vetëm në dhjetor, pasi kishte mbyllur dhjetëra miliona qytetarë të saj për muaj të tërë gjatë gjithë vitit.

Qeveria braktisi politikën zero-covid pas protestave të gjera kundër saj. Por reagimi represiv i shtetit ndaj atyre protestave ndihmoi që demokracia e Kinës të zvogëlohej në 1.94, më e ulëta që nga fillimi i indeksit në 2006.

Rusia regjistroi rënien më të madhe demokratike nga çdo vend në botë, duke rënë 22 vende poshtë renditjes në vendin e 146-të. Ambicia e Vladimir Putin për të rivendosur pozicionin e Rusisë si një fuqi perandorake kundërshtohet ashpër nga Perëndimi, por dënimi nga vendet joperëndimore nuk është aspak universal.

Rreth dy të tretat e njerëzve jetojnë në vende, qeveritë e të cilave janë ose neutrale ose të prirura nga Rusia. Makina propagandistike e Putinit po përpiqet të bindë jugun global se qëllimi i Perëndimit është të “ndajë dhe shkatërrojë” Rusinë. Në vetë Rusinë, kontrolli i fortë i shtetit mbi median dhe shtypja e protestuesve kundër luftës kontribuan në një rezultat të ulët historik prej 2.28.

Polarizimi mbetet kërcënimi më i madh për demokracinë në Amerikë, megjithëse pjesëmarrja e lartë historikisht në zgjedhjet e ndërmjetme në nëntor dhe një refuzim i gjerë i kandidatëve që ende mohojnë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ndihmuan që rezultati i vendit të mbetet i qëndrueshëm në 7.85.

Europa Perëndimore, shtëpia e tetë nga dhjetë vendet e para në indeks, ishte i vetmi rajon që regjistroi një përmirësim të dukshëm në vitin 2022. Rezultati i saj rajonal u kthye në nivelet para pandemisë dhe Norvegjia ruajti pozicionin e saj të gjatë në krye të renditje, e ndjekur nga afër nga katër vende të tjera nordike. (Zelanda e Re doli e dyta në renditjen globale.)

Turqia, i vetmi “regjim hibrid” në rajon, ka regjistruar një rënie të madhe gjatë dekadës së fundit, gjë që pasqyron sundimin gjithnjë e më autokratik të presidentit të saj, Recep Tayyip Erdogan. Vendi përballet me një zgjedhje vendimtare këtë verë që mund të vendosë statusin e tij demokratik. Pavarësisht disa përmirësimeve globale, demokracia mbetet nën kërcënim, thekson raporti./monitor




Skip to toolbar