Trafikimi i qenieve njerëzore është çështje e drejtësisë sociale

AKTUALITET


Nga Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco

Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një kujtim i zbehur historik: është një çështje sociale në Shqipërinë e sotme dhe mbart farën e një kërcënimi të mundshëm për sigurinë.


RS, një grua 20-vjeçare nga Tirana, solli në jetë një fëmijë në burg, pas një arrestimi për vjedhje. Fillimisht, RS mori vëmendjen e autoriteteve si një hajdute seriale, në moshën 16 vjeç. Sidoqoftë, historia e saj nuk është thjesht një histori e krimit të të miturve. Prindërit e RS e braktisën atë në moshë të re. Kur ishte adoleshente dhe jetonte me gjyshërit e saj, ajo u shfrytëzua seksualisht. Pasi autoritetet identifikuan rastin e trafikimit, ajo u zhvendos në një strehë, por më pas u kthye te gjyshërit e saj, ku shfrytëzimi seksual vazhdoi. Ajo aktualisht është ende në burg e dënuar për vjedhje.

Historia e RS është vetëm një nga rastet komplekse të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri, e mbuluar nga një studim i fundit i kryer nga zyra ime, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Trafikimi i qenieve njerëzore – procesi i zënies në grackë të njerëzve përmes përdorimit të forcës, dhunës, mashtrimit ose detyrimit dhe shfrytëzimi i tyre për përfitime financiare ose personale – mund të ndodhë në çdo kohë dhe kudo. Gjatë pesë viteve të fundit, autoritetet shqiptare kanë raportuar më shumë se 450 raste të viktimave të supozuara dhe të identifikuara zyrtarisht të trafikimit, shumica e të cilave janë fëmijë. Sipas të dhënave më të fundit të besueshme dhe të disponueshme nga UNODC, numri i viktimave të trafikimit në rang global në vitin 2018 ishte rreth 50,000. Megjithatë, trafikimi i qenieve njerëzore, fatkeqësisht, raportohet shumë pak dhe numri i viktimave ka të ngjarë të jetë shumë më i madh.

Ky fenomen botëror ushqehet nga pabarazia sociale dhe ekonomike, varfëria, papunësia, dhuna dhe konflikti, dhe bëhet i mundur falë teknologjisë. Si i tillë, meriton vëmendje të lartë nga komuniteti ndërkombëtar dhe autoritetet kombëtare në Shqipëri.

Cilët janë, sot, personat e trafikuar?

Çdokush mund të bëhet viktimë e trafikimit, megjithëse personat që jetojnë në rrethana të pasigurta janë më të prirë të bëhen shënjestra, dhe ka më shumë të ngjarë të jenë të varur dhe si pasojë edhe të shfrytëzohen vazhdimisht nga trafikantët e tyre. Hulumtimet e shumta për trafikimin e qenieve njerëzore na tregojnë se shpesh ëndrrat e këtyre individëve për jetë më të mirë mund të përfundojnë në borxhe, kushte të këqija pune apo në trafikim, shfrytëzim dhe dhunë. Ata bëhen dy herë viktima kur punësohen nga organizata të krimit të organizuar.

Problemi është edhe më i ndërlikuar në rastin e fëmijëve, veçanërisht të atyre që detyrohen nga prindërit e tyre të lypin ose të kryejnë krime të vogla. Në hulumtimin e kryer nga Prezenca, u dokumentuan 45 raste të fëmijëve të trafikuar ose të fëmijëve që mund të bien viktima të trafikimit, siç është rasti i EXH, një 15-vjeçar me çrregullime mendore, i cili, që në moshën 11-vjeçare, ka lypur, shitur drogë, vjedhur dhe ka punuar herë pas here për të mbështetur babanë e tij me aftësi të kufizuara. Pas largimit nga qendra e përkujdesit shoqëror, një punonjës i mbrojtjes së fëmijëve ka monitoruar vazhdimisht rastin e tij.

Ajo çka tregojnë raste si ai i EXH është se trafikimi i qenieve njerëzore nuk trajtohet thjesht me largimin e një viktime nga shfrytëzimi, por kërkon zgjidhje afatgjata ekonomike dhe sociale për familjet dhe fëmijët, duke përfshirë këtu punësimin, strehimin dhe arsimin. Kjo fillon me sisteme të forta dhe me burime të mira të mbështetjes sociale, të cilat parandalojnë trafikimin dhe shfrytëzimin dhe ushqejnë një mjedis mbrojtës për personat më të cenueshëm.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbetet e përkushtuar për të ndihmuar në bashkërendimin e një qasjeje ndërdisiplinore, që ka në qendër viktimën e trafikimit, për të çrrënjosur të gjitha format e trafikimit të qenieve njerëzore, bazuar në qasjen gjithëpërfshirëse të OSBE-së për të trajtuar këtë krim të rëndë. Angazhimi ynë drejtohet nga të diturit se trafikimi përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rajonale për shkak të veprimtarisë kriminale që përfshin ky fenomen. Hulumtimet në mbarë botën theksojnë se trafikantët shpesh përfshihen në korrupsion, trafik droge, kontrabandë migrantësh, pastrim parash dhe forma të tjera të krimit të organizuar, dhe këto fitime nga trafikimi i qenieve njerëzore rrjedhin në ekonomitë formale dhe kriminale me koston e sundimit të ligjit, të vlerave demokratike, të sigurisë ekonomike, të investimeve dhe të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në përputhje me mandatin e saj dhe përparësitë e qeverisë shqiptare, Prezenca ofron ekspertizë për të përmirësuar politikat, për të përmirësuar aftësitë dhe për të forcuar mekanizmat e bashkërendimit, në të gjitha institucionet dhe organizatat shoqërore të zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë. Ne kontribuuam në miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi për të mbrojtur fëmijët nga shfrytëzimi ekonomik dhe planet e nivelit vendor për identifikimin dhe dhënien e ndihmës për fëmijët në këto situata. Udhëzime të miratuara për mbrojtjen e interesit me të lartë të fëmijës viktimë e trafikimit gjatë procesit penal; mekanizma e mbledhjes së të dhënave; dhe takimet bashkërenduese me pjesëmarrjen e shumë strukturave po ndihmojnë më tej në identifikimin dhe menaxhimin e rasteve.

Takimet e mia të fundit me institucionet, policinë, strehëzat dhe OJF-të përforcuan nevojën për bashkëpunim në të gjitha nivelet. “Të ndryshëm dhe të barabartë”, “Vatra” dhe “Caritas”, të cilat sjellin përvojë të lavdërueshme në terren në parandalimin e trafikimit dhe asistimin e viktimave, theksuan rëndësinë e programeve të qëndrueshme të ndihmës sociale për riintegrimin e viktimave, pa të cilat ato mund të kthehen përsëri në fazën fillestare të shfrytëzimit, siç është rasti i RS.

Çfarë mund të bëhet?

Përkundër këtij konteksti, ndjekja penale e trafikimit të qenieve njerëzore është një përparësi për të dhënë drejtësi për viktimat, dhe për të ndihmuar në identifikimin e autorëve duke gjurmuar pasuritë e tyre.

Viktimat nuk duhen trajtuar si autorë të krimeve të kryera për shkak të situatës së tyre të trafikimit. Identifikimi i duhur i tyre si viktima do të çonte në mbrojtjen e të drejtave të tyre njerëzore dhe do të kontribuonte në ndjekjen penale të trafikantëve.

Fondet e konfiskuara mund të përdoren për të ndihmuar viktimat e trafikimit, për të mbështetur strehëzat dhe OJF-të në rehabilitimin e viktimave, të cilët mund të fillojnë një jetë të re.

Në rastin e fëmijëve, përfshirja proaktive e punonjësve socialë dhe zbatimi i ligjit për të zvogëluar dukurinë e abuzimit do të ulnin rrezikun e fëmijëve të cilët mund të trafikohen. Ne do të

vazhdojmë të mbështesim institucionet shqiptare, gjithashtu në nivelin vendor, për të forcuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve.

Ndërsa trafikantët zhvillojnë metoda të reja rekrutimi, qoftë përmes internetit apo fizikisht, si dhe mjete të sofistikuara për të kontrolluar viktimat e tyre, trajnimi i specializuar për zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë është tepër i rëndësishëm. Prezenca po zhvillon trajnime për policinë dhe magjistratët, që trajtojnë forma të reja të trafikimit dhe inkurajon një qasje të të drejtave të njeriut, të orientuar drejt fëmijëve dhe të ndjeshme ndaj çështjeve gjinore për ta luftuar këtë fenomen. Gjithashtu, së bashku me Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm dhe Koordinatorit të OSBE-së për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, ne do të ofrojmë për herë të parë në rajon një trajnim unik me bazë simulimin.

Së fundi, roli i një koordinatori kombëtar të posaçëm kundër trafikimit mbetet vendimtar, me një mandat të qartë dhe burime të përshtatshme për të udhëhequr bashkërendimin e dimensioneve të ndryshme të përpjekjeve kundër trafikimit.




Skip to toolbar