3 vjet nga miratimi reformës në drejtësi, “tërmeti” që po shkund drejtësinë & politikën

AKTUALITET


Ishte ora 00:45 minuta e datës 22 korrik 2016, ku 140 deputetë të Parlamentit të Shqipërisë, dhanë konsensusin absolut si kurrë më parë, duke miratuar ndryshimet kushtetuese, që i hapnin rrugën Reformës në Drejtësi. Një nga zhvillimet më të rëndësishme ligjore në historinë gati 30 vjeçare të pluralizmit shqiptar, pati konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike, të cilat pavarësisht divergjencave të shprehura paraprakisht, por nën presionin ndërkombëtar, mbështetën unanimisht reformimin tërësor dhe kapilar të sistemit të drejtësisë.

“Miratimi i reformës në drejtësi, mbi të gjitha, është një fitore për popullin shqiptar. Përkushtimi juaj e ka bërë Shqipërinë një vend më të drejtë dhe më demokratik. Përgëzoj parlamentin për gjetjen e konsensusit nën trysni jashtëzakonisht të madhe. Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur hartimin dhe negocimin e kësaj pakete të reforme fortë dhe presim me kënaqësi të vazhdojmë partneritetin tonë jetëgjatë, e cila tani është shumë më e fortë”, thuhej në deklaratën e ambasadës së SHBA pak pas miratimit të kësaj reforme në kuvend mëngjesin herët të 22 korrikut.


“I siguroj shqiptarët që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar do t’i fshijë nga sistemi i drejtësisë, fshesa e hekurt e vetingut, në një luftë të egër me killerat parellinj dhe politikën e mbrapshtë që nuk do të rreshtë”, shprehej kryeministri Edi Rama natën e gjatë të miratimit të reformës në Kuvend. “Suksese kësaj reforme historike dhe le të vazhdojë ky konsensus edhe për reforma të tjera”, tha kryetari i Kuvendit Ilir Meta pas votimit i cili u shoqërua dhe me duartrokitje edhe nga ndërkombëtarët të cilët po ndiqnin seancën. Ndërkaq, kreu i selisë blu Lulzim Basha në një prononcim të shkurtër për media u shpreh: “Urime të gjithë shqiptarëve”.

Prej 2016 e deri më tani, Reforma në Drejtësi vijon ende të jetë tema e ditës në politikën shqiptare, pasi tre vjet pas miratimit të paketës së ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, kjo reformë po tregon rëndësinë e saj ende pa u zbatuar drejtpërdrejt.

Po çfarë është Reforma në Drejtësi? Si ka vijuar procesi i zbatimit të saj nga miratimi në Parlament dhe deri më tani? Cili është institucioni më i rëndësishëm i kësaj reforme dhe kur pritet të jenë rezultatet e para? Realstory.al bën një përmbledhje të asaj që mund të cilësohet si thelbi i ‘reformës gjyqësore’, rezultatet e pritshme dhe ndikimi i saj në procesin integrues të vendit në Bashkimin Europian.

Reforma në Drejësi erdhi si një presion ndërkombëtar për të goditur një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare në periudhën poskomuniste, “korrupsionin në sistemin gjyqësor” dhe më pas atë në politikë. Për këtë arsye, me mbështetje dhe investime të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, Euralius dhe shumë institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe partive politike në vend, u hartua një  draft për ndryshime kushtetuese, që i hapnin rrugën reformimi të gjyqësorit.

Dy ishin shtyllat kryesore të këtij drafti, “Rritja e pavarësisë së gjyqësorit sidomos nga politika, dhe çlirimi i tij nga korrupsionin”. Për të realizuar këto dy pika themelore të Reformës në Drejtësi, janë hartuar  një sërë ligjesh të reja, që parashikojnë krijimin e disa institucioneve të reja të drejtësisë, si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi apo Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që kanë pavarësi në emërimet në sistemin gjyqësor, si dhe Vettingu, i përbërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Komisioni i Posaçëm i Apelimit, që në fakt, janë dy hallkat kryesore të cilat bëjnë vlerësimin tërësor për çdo prokuror dhe gjykatës, përpara se ai të kërkojë të emërohet në një nga institucionet e reja të drejtësisë.

Deri më tani, Vettingu ka shkarkuar rreth 40% të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë paraqitur në këtë proces, pasi ata janë gjetur me probleme në pasurinë e tyre të vënë gjatë viteve apo nuk kanë paraqitur prova të mjaftueshme të aftësive të tyre profesionale. Në këto kushte, për shkak të Vettingut janë krijuar shumë vakanca në institucionet e drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë apo mosvënia në funksion e Prokurorisë Speciale. Megjithatë, procesi i Vettingut, që parashikohet të vijojë edhe për dy vjet, tashmë ka kaluar  në sitë një numër të konsiderueshëm të gjykatësve dhe prokurorëve, të cilët pritet të jenë gati për të plotësuar vendet e mbetura bosh në institucionet e sipërcituara, apo ato që do të krijohen rishtazi.

Institucioni më i rëndësishëm i kësaj reforme, që përbën ndoshta thelbin e reformimit të gjyqësorit, është ngritja e Prokurorisë Speciale. Ky institucion, që sipas drejtuesit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi do të jetë gati në fund të shtatorit, ka si qëllim parësor hetimin dhe nxjerrjen para drejtësisë të politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar. SPAK është një nga institucionet e reja të drejtësisë, që është promovuar nga partnerët ndërkombëtar, edhe për shkak të rëndësisë që ka për të nisur hetimin e dosjeve të “nxehta” dhe nxjerrjen para drejtësisë të personave të veshur me imunitet politikë.

Në këto kushte, në varësi të rezultateve të SPAK, Shqipëria pret edhe një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Një tjetër institucion i rëndësishëm është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), që për hir të së vërtetës nuk ka funksionuar këto tre vite për shkak se shumica e anëtarëve të propozuar tre vitet e fundit për këtë institucion, nuk kanë kaluar Vettingun. Megjithatë, edhe KED, që do të bëj më pas emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese apo Gjykatës së Lartë, pritet të jetë në funksion së shpejti. Reforma në Drejtësi, përpos “tërmetit” që ka shkaktuar te vetë prokurorët dhe gjyqtarët, nuk ka lënë pa lëkundur edhe sistemin politik në Shqipëri.

Tre vjet pas saj, opozita dhe presidenti i Republikës Ilir Meta, që në 2016 votoi “pro” kësaj reforme, pretendojnë se drejtësia e re po kapet nga qeveria. Ndërkohë, mazhoranca është shprehur se këto akuza vijnë pasi opozita dhe presidenti po ndjejnë pasojat që do të ketë reforma te disa politikanë, të cilët në të shkuarën janë akuzuar për korrupsion. Në këto kushte, gjashtë muajt e fundit, një pjesë e opinionit civil në vend, mendojnë se edhe kriza politike rrënjët e vërteta të saj i ka te drejtësia.

Në seancën e fundit plenare për këtë sezon, Kuvendi votoi dhe dy ligjet e fundit të Reformës në Drejtësi, të mbetur në kuvend prej dy vitesh. Shkak i mosmiratimit të këtyre dy ligjeve ishte bërë opozita, e cila nuk ofronte konsensus. Në këto kusthe, pas daljes nga parlamenti të deputetëve të PD-LSI, deputetët e rinj që u futën në Kuvend ofruan mbëshetjen e tyre për miratimin e dy ligjeve të fundit të Reformës në Drejtësi, të cilët lidhen me “statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe vetëqeverisjen e institucioneve të drejtësisë”. Megjithatë, të gjithë shqiptarët presin me padurim rezultatet e para të kësaj reforme, e cila është një nga investimet më të rëndësishme të miqve ndërkombëtar në Shqipëri, për t`a futur vendin tonë në rrugën e integrimit në BE./Relastory.al/




Skip to toolbar