Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vizitoi një mobileri në Cermë të Divjakës, e ndërtuar nga dy vëllezër emigrantë, dhe që sot operon edhe në tregun rajonal dhe evropian. Ata rrëfyen për ministren se u larguan drejt Greqisë në vitin 1997 dhe më pas u kthyen për të investuar në vendlindje.
“Emigruam në vitin ’97 në Greqi, punuam disa vite, morëm eksperiencën nga atje dhe më pas vendosëm që të ktheheshim për të investuar në vendin tonë. Filluam më pas me investimin në fillim të vogël, më pas duke punuar, duke qëndruar korrekt me klientët na dhanë besimin që të rritemi. Edhe punëtorët kanë krijuar eksperiencën. Mundohemi që klientët t’i rrimë korrekt. Filluam para 5 viteve me një klient. Filluam që të eksportojmë edhe në vende të tjera. Fillimisht me Italinë.”, tha njëri nga vëllezërit për ministren Balluku.
Nga ana e saj, ministrja u shpreh se “E rëndësishme për mua është shembulli i njerëzve punëtorë, më i mirë për të gjithë shqiptarët që ndodhen në emigracion dhe mund të vijnë t’i tregojnë vlerat në vendin e tyre dhe madje të ndihmojnë edhe të tjerët.”