Tritol hotelit në Sarandë, pranga 36 vjecarit, i ati ishte në konflikt për pronën

AKTUALITET


Ngjarja e ndodhur mëngjesin e djeshëm ku hoteli “Bizanti” në shëtitoren “Naim Frashëri” në lagjen Nr. 1 në Sarandë u hodh në erë me tritol është zbardhur pas rreth 12 orësh punë hetimore. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e autorit të dyshuar, 36-vjeçarit Sotir Çabirit.

Në njoftimin zyrtar të Policisë bëhet me dije se 36-vjeçari mëngjesin e djeshëm ka vendosur një sasi lënde eksplozive në hotelin “Bizanti” që babai i tij, 63-vjeçari Spiro Çabiri kishte në bashkëpronësi me Dhimitër Evangjeliun për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe Evangjeliu. Ky proces gjyqësor kishte nisur që në vitin 2002 dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të Dhimitër Evangjeliut.


36-vjeçari Sotir Çabiri banues në Sarandë do të përballet me veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë person të dëmtuar.

Policia ka sekuestruar veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.




Skip to toolbar