Trump në Kongres: Ukraina është gati të nënshkruajë marrëveshjen për mineralet

BOTA


Donald Trump, gjate fjalimit në Kongresin Amerikan, tha se Ukraina është gati të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet “në çdo kohë”.

Kjo marrëveshje për mineralet do t’i jepte SHBA-së një pjesë të pasurisë së vendit nga burimet e saj natyrore, që Trump ka thënë se do të kompensonte mbështetjen e Uashingtonit që nga fillimi i pushtimit rus.

Marrëveshja dukej se ishte në prag të kolapsit javën e kaluar pasi Trump qortoi Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Por ai tani thotë se presidenti ukrainas i ka shkruar një letër dhe ka zbuluar se janë gati për një marrëveshje.

“Në letër thuhet se Ukraina është e gatshme të vijë në tryezën e bisedimeve sa më shpejt që të jetë e mundur për të sjellë më afër paqen e qëndrueshme.

Për sa i përket marrëveshjes për mineralet dhe sigurinë, Ukraina është e gatshme ta nënshkruajë atë në çdo kohë, nëse kjo është e përshtatshme për ju”, tha Trump.

Ai thotë se fundi i luftës do të ishte “i bukur”, duke shtuar se SHBA ka dërguar qindra miliarda dollarë për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës.



Skip to toolbar