Trump zë në befasi Kanadanë, tërhiqet nga bisedimet tregtare

BOTA


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se po ndërpret menjëherë bisedimet tregtare me Kanadanë, pasi qeveria kanadeze po përgatitet të zbatojë një taksë ndaj kompanive të mëdha teknologjike amerikane.

Lajmin e bëri publik vetë presidenti përmes një postimi në rrjetet sociale, në një moment kur të dy vendet po përpiqeshin të arrinin një marrëveshje tregtare deri në mesin e korrikut.

Të dyja palët kanë vendosur tashmë tarifa ndaj mallrave të njëra-tjetrës, pas përshkallëzimit të tensioneve më herët këtë vit, kur Trump nisi një luftë tregtare dhe madje kërcënoi se do të përdorte “forcën ekonomike” për të aneksuar Kanadanë.

Të premten, Trump tha se po i jepte fund bisedimeve për shkak të asaj që e cilësoi si një “taksë të rëndë dhe të padrejtë” ndaj kompanive teknologjike. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të shpallë tarifa të reja për mallrat kanadeze që hyjnë në SHBA brenda javës së ardhshme.

“Me efekt të menjëhershëm, ne po ndërpresim TË GJITHA bisedimet tregtare me Kanadanë. Kanadaja do të njoftohet brenda shtatë ditëve për tarifën që do të paguajë për të bërë biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump.

Taksa 3% mbi shërbimet digjitale e miratuar nga Kanadaja vitin e kaluar është bërë pikë përplasjeje me Uashingtonin. Pagesat e para për këtë taksë pritet të fillojnë të hënën.Ministrja kanadeze e Financave konfirmoi se vendi do të vazhdojë me zbatimin e ligjit, por nuk dha komente të menjëhershme për mediat. Sipas grupeve të biznesit, kjo taksë pritet t’u kushtojë kompanive amerikane mbi 2 miliardë dollarë në vit.

Zyrtarë kanadezë kishin shprehur më herët gatishmërinë për të diskutuar çështjen në kuadër të bisedimeve tregtare me SHBA-të. Kishte shpresa se marrëdhëniet relativisht të ngrohta mes kryeministrit të sapozgjedhur Mark Carney dhe Presidentit Trump do të ndihmonin për një marrëveshje.

Por vendimi i fundit i presidentit amerikan vë në pikëpyetje të ardhmen e këtyre negociatave. Gjithsesi, Trump njihet për përdorimin e toneve kërcënuese në rrjetet sociale si taktikë për të ushtruar presion ose për të përshpejtuar bisedimet.

Muajin e kaluar, Trump kishte kërcënuar me rritje tarifash ndaj Bashkimit Evropian, por u tërhoq pak ditë më pas. SHBA-të mbeten partneri më i madh tregtar i Kanadasë, me mbi 400 miliardë dollarë mallra të shkëmbyer vitin e kaluar.

Gjithsesi, këtë vit Trump vendosi një tarifë 25% ndaj disa mallrave kanadeze, duke përmendur shqetësime për trafikun e drogës. Tarifat e reja ndaj makinave, çelikut dhe aluminit kanë tensionuar më tej marrëdhëniet, duke rrezikuar zinxhirët e furnizimit mes dy vendeve. Si reagim, SHBA-të hoqën disa tarifa, ndërsa Kanadaja vendosi kundërmasa.



Skip to toolbar