U arrestua pas dëshmisë së Dumanit, policia sekuestron pasurinë e Gentian Sharrës me vlerë 5 mln euro

AKTUALITET


Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan Ardian Çipa, së bashku me prokurorin e Rrethit Gjyqësor Elbasan Kreshnik Ajazi dhe prokurorin e çështjes Xhelian Seferi, në konferencë për shtyp për finalizimin e operacionit policor të koduar “Illegal assets”.   

Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.


Sekuestrohen pasuri të ndryshme, me vlerë rreth 5 milionë euro.

Në kuadër të hetimeve pasurore për persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale, për pasuri dhe asete që dyshohen se i kanë burimet nga veprimtaria kriminale, bazuar në materialin procedural të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë  Elbasan në Prokurorinë e Rrethit Elbasan, gjatë vitit 2021 dhe në vijim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Illegal assets” dhe është bërë sekuestrimi i pasurive në emër të shtetasve Gentian  Sharra dhe Mustafa Sharra.   

-Gentian  Sharra, 48 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë, me aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i dyshuar për grabitjen e një sasie të madhe parash në Rinas, si dhe i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Golden bullet”.   

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të veprimeve hetimore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 09.06.2022, ka caktuar masën e sigurimit pasuror “Sekuestro”, për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të babait të tij, shtetasit Mustafa Sharra.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u sekuestruan:

-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;

-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronesi të Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2  dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2,  në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 3533  m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë  me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2  dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.




Skip to toolbar