U godit nga raketa, gazetari francez humb jetën teksa raportonte në Ukrainë

BOTA


Një gazetar 32-vjeçar është vrarë teksa raportonte nga zona e luftës në Ukrainën Lindore. Gazetari Arman Soldin, i cili punonte për Agjencinë e Lajmeve AFP ndërroi jetë pasi u godit nga raketa në qytetin e Bakhmutit.

Bakhmut ka qenë epiqendra e luftimeve në Ukrainën lindore për disa muaj.


Lidhur me lajmin e hidhur ka reaguar dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron i cili ndau dhimbjen për vdekjen e tij.

“Ne ndajmë dhimbjen e të dashurve dhe kolegëve të tij”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Shefi i AFP, Fabrice Fries u shpreh se Agjencia e Lajmeve ishte në pikëllim nga vdekja e Soldin për të cilin tha se përballej çdo ditë me rrezikun gjatë raportimit të tij në Ukrainë.

Drejtoresha e Agjencisë për Evropën, Christine Buhagiar, e kujtoi Soldin si “entuziast, energjik dhe trim” dhe tha se ai ishte shumë i përkushtuar për profesionin e tij.

Gazetari Soldin ishte pjesë e ekipit të parë të AFP-së që shkoi në Ukrainë pas pushtimit të Rusisë në Shkurt të vitit të kaluar dhe kishte jetuar atje që nga Shtatori.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës shprehu ngushëllimet për familjen dhe kolegët e Soldin duke thënë: Ai ia kushtoi jetën informimit të botës për të vërtetën. Trashëgimia e tij, si dhe kauza e tij, do të jetojë.

Soldin, i cili është me origjinë nga Bosnja është gazetari i 15-të që vritet ndërsa raportonte për luftën në Ukrainë që nga Shkurti i vitit 2022.




Skip to toolbar