Drejtori i urgjencës kombëtare Skënder Brataj që u prek nga Covid 19, në një postim në Facebook shprehet se është gati për të rifilluar punën, por më parë është në pritje të testit për të konfirmuar se e ka fituar luftën me koronavirusin.
“Një falenderim të gjithë juve, që asnjëherë nuk më keni lënë vetëm në këto ditë të sëmundjes, izolimit dhe karantinës. E di që nuk kam mundur t’ju përgjigjem dot të gjitha mesazheve tuaja sepse janë të shumta, prandaj ju falenderoj dhe ju vë në dijeni se gjendja ime shëndetësore është më e mirë dhe shpresoj të jetë negative prova e tamponit.
Unë mendoj se ja dola falë mbështetjes tuaj, terapisë, dëshirës dhe vullnetit që kam për ta mposhtur COVID-19. Gati, për të rifilluar përsëri betejën me këtë armik të padukshëm, por që tani e njohim më shumë se një muaj më parë, kur u paraqit para nesh.
Nëse ka pasur shprehje që nuk e kam duruar që kur jam kthyer, është shprehja e famshme: Nuk bëhet, pa e ditur për çfarë problemi flitet, për çfarë pune, pa e pasur idenë ose kompetencat profesionale! Duke ju përveshur punës, ne krijuam një shërbim të pazëvendësueshëm, siç është ai i urgjencës, të cilin shumë prej jush e kanë provuar në këto tre vitet e fundit.
Nuk ka gjë që nuk bëhet, luftë që nuk fitohet, por duhet shumë shumë punë, shumë shumë durim, shumë shumë bashkëpunim dhe mirëkuptim nga të gjithë” tha Skënder Brataj, që u infektua me koronavirus në datë 24 mars dhe prej asaj dite ndodhet në karantinë në shtëpi