Udhëheqësit e BE dhe NATO diskutojnë prioritetet e sigurisë për Evropën

BOTA


Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mori pjesë të premten në një samit të Bashkimit Evropian për të diskutuar përparësitë e sigurisë dhe mbrojtjes për aleancën.

Zoti Stoltenberg iu bashkua Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në selinë e BE-së në Bruksel ku ata iu drejtuan liderëve të tjerë të BE-së nëpërmjet një videokonference.


Përpara takimit, në një konferencë për shtyp me zotin Michel, zoti Stoltenberg tha se trupat e NATO-s po bashkëpunojnë me strukturat civile për të luftuar pandeminë COVID-19, duke ndihmuar në ngritjen e spitaleve ushtarake në terren, transportimin e pacientëve dhe pajisjeve mjekësore, ndër përpjekjet e tjera. Ai tha se fokusi i tyre kryesor është të sigurohen që kriza shëndetësore të mos shndërrohet në krizë sigurie.

Por, tha zoti Stoltenberg, roli kryesor i aleancës është të veprojë si një lidhje midis Amerikës së Veriut dhe Evropës dhe ai mirëpriti mesazhin e fortë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden në lidhje me angazhimin e tij për të rindërtuar aleancat me Evropën.

Zoti Michel ra dakort, duke thënë se ai është “plotësisht i bindur” se administrata e Presidentit Biden ofron një mundësi unike për të forcuar partneritetin mes NATO-s dhe BE-së.

Në një konferencë për shtyp pas takimit të sigurisë, zonja Von der Leyen tha se bashkëpunimi me NATO-n ishte një përparësi kryesore, por, duke reflektuar pikëpamjet e anëtarëve të tjerë kryesorë të BE-së, tha se blloku, “si një i tërë, ka më shumë detyra për stabilizimin dhe sigurinë, sesa detyrat brenda NATO-s. Dhe për këtë, ne duhet të jemi të përgatitur”.

Vendet anëtare Gjermania dhe Franca kanë bërë presion për “autonomi strategjike” brenda bllokut, veçanërisht pas asaj që ata e quajtën qëndrimin e paqartë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndaj aleatëve tradicionalë evropianë të Shteteve të Bashkuara. Ata thanë se besojnë se Evropa duhet të jetë në gjendje të qëndrojë e vetme.

Agjencia franceze e lajmeve raporton për një projekt konkluzionesh nga takimi i së premtes ku tregohet se udhëheqja e unionit do të riafirmojë se “përballë rritjes së paqëndrueshmërisë globale, BE-ja duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj”, por nuk priten njoftime konkrete të reja./VOA




Skip to toolbar