Fatos Tarifa: Urim nga një mësues për të gjithë mësuesit tanë

AKTUALITET


Nga Prof. Fatos TARIFA

Përvoja e 40 viteve si mësues në disa universitete shqiptare, në disa universitete amerikane, ne nje universitet hollandez, si dhe përvoja më të shkurtra, ose episodike në dhjetra universitete anë e mbanë globit, kanë qenë për mua vetë një përvojë shumë e vyer si nxënës.


Duke u përpjekur me pasion t’u shpjegoj studentëve të mi ato njohuri që unë vetë kam fituar përmes një shkollimi të gjatë, përmes leximeve të shumta dhe përmes studimeve të mia, unë vetë kam mësuar shumë prej tyre. Reagimet dhe pyetjet e studentëve shpesh herë më kanë shtyrë t’i verifikoj më tej njohuritë e mia, siç edhe kanë provuar në mënyrë konsistente karakterin relativ të njohurive tona mbi realitetin.

Kjo e vërtetë absolute mbi relativitetin e çdo dijeje është bërë me kohë mantra e veprimtarisë sime akademike dhe e jetës sime shoqërore.

E para gjë që u them studentëve të mi, në të parën orë leksioni që zhvilloj me ta është, pak a shumë, kjo: kurrë mos e merrni për të mirëqenë asgjë që dëgjoni nga kushdo qoftë, asgjë që lexoni, qoftë edhe ne tekstet qe u rekomandojnë pedagogët tuaj.

Mos besoni verbërisht në asgjë. Mos besoni as këto fjalë që u them unë. Lexoni Bertrand Russell-in, edhe atë në mënyrë kritike, siç do j’u këshillonte vetë ai, dhe gjithnjë vini në punë mendjen tuaj, intelektin tuaj.

Informohuni nga më shumë se një burim i vetëm, nga sa më shumë burime që të jetë e mundur, dhe gjithnjë arsyetoni në mënyrë kritike. Kurrë mos merrni për të vërtetë absolute, ose përfundimtare asgjë.

Besimi absolut është tipar i fesë; shkenca na mëson dhe mbështetet në të vërteta të pjesëshme, të përkohëshme, relative dhe përmes tyre është zhvilluar deri më sot.

Nga Bertand Russell, njëri prej heronjve të mi intelektualë, kam mësuar se mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik. Për këtë arsye, studentëve të mi u kërkoj ta mbajnë gjithnjë mendjen të hapur për t’u bërë vend ideve të reja që gjenerojnë njohuritë që marrin vazhdimisht nga zhvillimet e reja në shoqëri dhe në shkencë.

Dy mijë e pesëqind vite më parë Konfuci vinte në dukje se, ndërsa është e lehtë t’i bësh njerëzit të besojnë në diçka apo të ndjekin një rrugë të caktuar, çështja është t’i bësh ata të aftë të kuptojnë pse duhet vepruar në atë mënyrë dhe cilat janë pasojat e veprimeve të tyre.

Ky mësim i lashtë është i vyer edhe për mësuesit dhe brezat e rinj të sotëm.

Mësimdhënia është një aktivitet subversiv, aq më tepër sot, kur fëmijët marrin mesazhe kulturorë që në vitet e para të fëmijërisë. Në ditët tona është bërë e lehtë për fëmijët dhe të rinjtë që ta shohin realitetin në një dritë që nuk tregon—madje edhe mund ta fshehë—natyrën e vërtetë të tij.

Dhe, ndërsa prindërit shumë herë nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë realitet “imagjinativ” që perceptojnë fëmijët e tyre dhe, akoma më pak janë në gjendje që të ndikojnë mbi ta, mësuesit kanë të tjera mundësi dhe një detyrë parësore që t’i ndihmojnë fëmijët dhe të rinjtë t’i vënë në pikëpyetje ato vlera dhe atë realitet të imagjinuar te të cilat këta të fundit besojnë. Detyra e vërtetë e mësuesve, nëse perifrazoj poetin e shquar romantik anglez të shekullit të 19-të, John Keats, është që t’i orientojnë fëmijët dhe të rinjtë në rrugën e formimit të tyre shpirtëror, sepse, edhe sikur të fitosh një botë të tërë, sipas tij, kjo nuk ka asnjë vlerë nëse humbet shpirtin tënd të vdekshëm.

Për grekët e lashtë, marrëdhëniet e mësuesit me nxënësit e tij vlerësoheshin më të rëndësishme edhe sesa marrëdhëniet e një prindi me fëmijët e tij. Në botëkuptimin sokratik, prindërit janë ata që e sjellin një fëmijë në jetë, pra e bëjnë atë pjesë të natyrës, ndërsa mësuesi është ai që e sjell një fëmijë në shoqëri dhe e bën atë pjesë të saj.

Dhe, ndërsa riprodhimi natyror është i lehtë, transmetimi i kulturës, ose riprodhimi i saj është i vështirë dhe, që të mund të realizohet, kërkon rolin e mësuesit. Sokrati solli një ide të re mbi atë se çfarë duhet kuptuar me të mësuarit. Përpara se nxënësit e tij të ndiqnin mësimet e mjeshtrit të madh, ata kishin marrë edukatë dhe njohuri nga prindërit e tyre. Sokrati insistonte që edukimi i nxënësve të niste nga e para, duke “i zhveshur” ata nga gjithçka që kishin mësuar deri atëherë dhe duke u mësuar nxënësve të tij se si të dyshonin e të vinin në pikëpyetje të gjitha vlerat e dijes që kishin marrë më parë.

Me fjalë të tjera, mësimi që ofronte Sokrati nuk ishte kulturor; ai ishte antikulturor; ai nuk ishte socializim, por risocializim. Athinasit e kishin kuptuar mjaft mirë Sokratin dhe, për këtë arsye, e dënuan atë me vdekje duke e akuzuar se korruptonte rininë.

Pas dyzet vitesh punë si mësues, kam arritur të kuptoj dhe të përjetoj si një gjendje emocionale timen, se nuk ka gjë më të bukur e më të vështirë, mision më fisnik dhe përgjegjësi më të madhe se sa të jesh një mësues – a Teacher, not a Preacher.

Jam i bindur se shumëkush nga ju, ashtu si unë, i kujton me veneracion e respekt disa prej mësuesve të vet, të cilët kanë pasur një ndikim të veçantë në formimin tuaj intelektual e qytetar. Për mua vetë, një ndikim të tillë kanë pasur disa individë, duke filluar nga Vasilika Korça dhe Vlefta Paparisto, mësueset e mia të para në shkollën “10 Korriku” në Tiranë, Tefik Çaushi, Alfred Uçi, Luan Omari e Zija Xholi në Universitetin e Tiranës, si edhe Judith e Peter Blau dhe Craig Calhoun në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill më vonë.

Një urim të përzemërt për mësuesit tanë të të gjitha në këtë ditë që është festa e tyre!/Gazeta Dita




Skip to toolbar