Ursula dhe 7 fëmijët: Gjermanja njerëzore, që pason “pijanecin” Juncker

AKTUALITET


Me 383 vota ‘pro’, 327 ‘kundër’ dhe 22 ‘abstenim’, Ursula von der Leyen është zgjedhur nga deputetët e Parlamentit Europian  në postin e Presidentetes së Komisionit Europian. Në këtë detyrë, Ursula von der Leyen pason Presidentin aktual të KE, Jean-Claude Juncker. 60-vjeçarja, që aktualisht mban postin e Ministres së Mbrojtjes së Gjermanisë, është e para femër që do të drejtojë Komisionin Europian, që pas krijimit të tij.

Kush është Ursula von der Leyen?!


Aktualisht ajo mban postin e Ministrses së Mbrojtjes së Gjermanisë, pozicion në të cilin u emërua në vitin 2013 nga Kancelarja gjermane Anglea Merkel. Von der Leyen do të vendoste gjithashtu një standard të ri në politikën gjermane, pasi u bë e para femër në 2013 që pranoi postin e Ministrses së Mbrojtjes. 60-vjeçarja e lindur në Bruksel, është një nga aleatet e afërta të kancelares Merkel, dhe për shumë kohë, ajo është menduar se do të ishte pasardhësja e Merkelit në Gjermani.

Megjithatë, Ursula von der Leyen ka hyrë vonë në politikë, por për të, politika nuk është diçka e panjohur. Babai i saj, Ernst Albercht, ka qenë ish-Kryeministër për rajonin e Saksonisë dhe ish drejtor në Komisionin Europian. Në moshën 13-vjeçare Von der Leyen u  shpërngul nga Brukseli në Gjermani me familjen e saj. Ajo vazhdoi studimet në fushën e ekonomisë, në Shkollën Ekonomike të Londrës, ndërsa më pas ka ndjekur dhe një shkollë në fushën e mjekësisë, Gjinekologji, në Hanover. Shefja e re e Komisionit Europian ka gjuhë amtare frëngjishten dhe atë gjermane (të parën e ka mësuar gjatë kohës që ka jetuar në Bruksel), ndërkohë që është e martuar dhe ka 7 fëmijë.

Në fakt, kjo është diçka e rrallë për një femër evropiane në një vend si Gjermania, ku lindshmëria mestare është 1.59 fëmijë për grua. Ursula von der Leyen hyri në politikë në moshën 43 vjeçre, dhe ka qenë anëtare e Partisë Konservatore të Kristian Demokratëve të Merkel (CDU) që prej nisjes së karrierës së saj politike. Ajo ka mbajtur poste të ndryshme politike në rajonin e Hanoverit midis viteve 2001 dhe 2004, ndërsa më pas u zgjodh në parlamentin e Saksonisë së Ulët, përpara se të bëhej ministër për çështjet sociale, gratë, punët e familjes dhe shëndetin.

Von der Leyen u katapultua në skenën politike gjermane në vitin 2005, kur Merkel e emëroi ministre federale për çështjet e familjes, të moshuarit, gratë dhe të rinjtë. Katër vjet më vonë, ajo u zgjodh në Bundestag, ose parlamenti federal. Ajo ishte ministre federale e punës dhe çështjeve sociale deri në vitin 2013, kur u bë ministre e mbrojtjes. Megjithatë, Von der Leyen ka pasur shpesh kritika në Gjermani, për lidhjen e kontratave të dyshimta me dy firma konsulence, gjë të cilën e ka pranuar më vonë. Në vitin 2015, ndaj saj janë ngritur dhe akuza për plagjiaturë në tezën e doktoraturës, por ajo e refuzoi duke kërkuar që doktoratura e saj të rishqyrtohej nga një komision i pavarur.

Një ditë para votimit të kandidaturës së saj për presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Jam e përkushtuar në fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim të ardhshëm në BE. Ballkani Perëndimor duhet të kuptohet më seriozisht” , u shpreh Von der Leyen në përgjigjen që i ktheu deputetëve të Parlamentit Europian, pas një kërkese të tyre në lidhje me mendimin e saj për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor.




Skip to toolbar