Prokuroria e Tiranës ka thirrur të martën Presidentin, Ilir Meta për të dhënë dëshminë e tij në lidhje me padinë e depozituar prej tij, ndaj kreut të KED-së, Ardian Dvorani, të cilin e akuzon për shkelje ligjore dhe marrjen e kompetencave në lidhje me emërimin e gjyqtares Arta Vorpsi si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, por edhe për të gjithë procesin e ndjekur nga KED për emërimet në këtë gjykatë. Presidenti Meta pretendon se kreu i KED-së me dashje ka shkelje afatet ligjore dhe dispozitat kushtetuese duke marrë kompetencat e presidentit dhe duke i bindur “urdhërave të partisë”. Presidenti Meta do të merret në pyetje nga prokurori i çështjes Alket Mersini. Është hera e parë që një president Republike thirret të dëshmojë në prokurori dhe këtë “mundësi” e ka presidenti Meta i cili është gjithashtu presidenti i parë që kërkohet të shkarkohet nga parlamenti përmes një hetimi parlamentar me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën.
Pritet që Presidenti Meta në deklarimet e tij të shpjegojë para prokurorëve faktin penal të pretenduar në kallëzimin e bërë prej tij.
Meta depozitoi më 19 nëntor një kallëzim penal për kreun e KED-së Ardian Dvorani, të cilin e akuzoi për dy vepra penale “shpërdorim i detyrës” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.
Konflikti Presidencë-KED nisi kur kreu i KED-së emëroi Arta Vorpsin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese duke njoftuar se presidentit i përfundoi afati 30 ditor për ushtrimin e të drejtës së tij për të zgjedhur një nga kandidatët në listë.
Sipas Metës, KED nuk ka marrë asnjë vendim kolegjial për dërgimin e listave për plotësimin e vakancave njëherazi, por ky veprim është kryer personalisht nga kryetari Dvorani.
Meta theksoi se, sipas Kushtetutës, dy vakancat në Gjykatë nuk mund të plotësoheshin njëherazi, por duhej respektuar radha midis Presidencës, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë.
Meta akuzoi Dvoranin se ka tentuar të krijojë një gjendje antikushtetuetshmërie duke e vendosur atë përpara faktit të kryer dhe duke i imponuar një “rregull të ri”, me qëllim shkeljen e Kushtetutës.
Ndërsa kreu i KED-së nga ana e tij deklaroi se ka zbatuar vetëm Kushtetutën në emërimin e Vorpsit një Gjykatën Kushtetuese duke thënë se presidenti e lexon gabim Kushtetutën.
Lidhur me kallëzimin penal të presidentit, kreu i KED thotë se të gjitha pretendimet e Metës janë të pavërteta dhe se KED ka zbatuar dispozitat kushtetuese lidhur me listimin dhe respektimin e afatit 30 ditor për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese. Dvorani shpjegon se Meta i bën interpretim të gabuar të Kushtetutës lidhur me vakancat dhe afatet për anëtarët e Kushteteuses.
Presidenca për t’u siguruar se kallëzimi penal do të regjistrohet e dërgoi atë në 3 prokurori të ndryshme, në Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.