Ushtria izraelite propozon “plan për evakuimin” e civilëve në Gazë

BOTA


Disa persona shihen pranë ndërtesave të goditura nga sulmet ajrore izraelite në Rafah, në jug të Rripit të Gazës më 9 shkurt 2024.

Ushtria izraelite ka propozuar një plan për evakuimin e civilëve “nga zonat e luftimeve” në Gazë, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, të hënën, më 26 shkurt, pasi udhëheqësi izraelit tha se një ofensivë në qytezën Rafah, në jug të enklavës, ishte e nevojshme.


Qeveritë e huaja dhe organizatat e ndihmës vazhdimisht kanë shprehur frikën se një ofensivë ushtarake në Rafah do të rezultonte në numër të madh të viktimave në mesin e civilëve.

Mbi 1.4 milion palestinezë – shumica të zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës – janë strehuar në Rafah. Kjo qytezë po ashtu është pika e parë e hyrjes së ndihmës humanitare në territor, përmes Egjiptit.

Ushtria izraelite “i prezantoi Kabinetit të Luftës planin për evakuimin e popullatës nga zonat e luftimeve në Rripin e Gazës dhe planin e ardhshëm operacional”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Zyra e Netanyahut.

Në këtë deklaratë nuk u dhanë detaje se si dhe ku do të vendoseshin civilët.

Njoftimi vjen përderisa ndërmjetësit nga Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara u takuan në Doha për bisedime, në të cilat morën pjesë edhe përfaqësuesit e Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – raportuan mediat e lidhura me shtetin egjiptian. Kjo është përpjekja e re për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi para nisjes së Muajit të shenjtë të Ramazanit.

Netanyahu, i cili ka konsideruar kërkesat e Hamasit për tërheqje nga Gaza si “absurde”, deklaroi se një pushtim tokësor në Rafah do t’i jepte Izraelit brenda javësh një “fitore të plotë” ndaj Hamasit, grupit radikal që kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor, duke nxitur luftën.

“Nëse kemi një marrëveshje armëpushimi, kjo do të vonohej paksa, por do të ndodhte”, tha ai për pushtimin tokësor gjatë një interviste dhënë për CBS të dielën.

“Duhet të bëhet sepse fitorja e plotë është qëllimi ynë dhe kjo fitore mund të arrihet dhe kur të nisim operacionin tonë ky nuk do të jetë objektiv që do të arrihet për muaj të tërë, por brenda javësh”, tha ai.

Mes një krize humanitare në rritje, agjencia kryesore për palestinezë e Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për veprime politike në mënyrë që të shmanget uria në Gazë.

Mungesa e furnizimeve ushqimore në veri të Gazës “është një fatkeqësi e shkaktuar nga njeriu”, që mund të zbutet tha Philippe Lazzarini, kreu i agjencisë së OKB-së për palestinezët, e njohur si UNRWA.

“Uria mund të shmanget përmes një vullneti politik që të lejohet qasja dhe mbrojtja e ndihmës së rëndësishme”.

OKB-ja tha se përballet me kufizime, veçmas në dërgimin e ndihmës humanitare në veri të Gazës.

Lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmeve në jug të Gazës. Si pasojë e ofensivës ajrore dhe tokësore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 29.000 persona, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi./rel




Skip to toolbar