Vdes në aksident shoqëruesi i ambasadorit rus në Tiranë

AKTUALITET


Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur pak para mesnatës të së enjtes pranë TEG-ut.  Një automjet me targë CD, tip ‘Hyundai Tucson’ që i përket një trupe diplomatike të akredituar në Tiranë dyshohet se ka qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe ka humbur kontrollin. Mjeti me targa diplomatike u përplas fillimisht me banderolën metalike të rrugës dhe më pas me bordurën.  Shoqëruesi i ambasadorit rus në Tiranë, Sergei Mironov ka humbur jetën dhe një tjetër i identifikuar si Andrea Kukuviç është plagosur.

Shoqëruesi i ambasadorit rus nuk i ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës për spital.


Shpejtësia tej normave të lejuara dyshohet shkak i aksidentit të rëndë të makinës së ambasadës ruse. E njëjta makinë, me shpejtësi të lartë, është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore edhe më herët. Dy herë është regjistruar me 137 km/h më 31 mars në orën 00:18 dhe 171 km/h në datën 5 prill në orën 22:02. Në njërin prej rasteve, policia e ka ndjekur mjetit deri në afërsi të ambasadës ruse por nuk ka mundur ta ndalojë. Ambasada ruse, përmes rrugëve zyrtare është njoftuar për sjelljen e keqe në rrugë të mjetit.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Pamjet tregojnë se automjeti është përmbysur pas përplasjes me bordurën anësore.




Skip to toolbar