Veliaj bisedë me ekselentët e “Petro Nini Luarasit”: Së shpejti nis rikonstruksioni i shkollës

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një bashkëbisedim me nxënësit ekselentë të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, me të cilët ndau lajmin se projekti për rikonstruksionin e shkollës së tyre do të nisë këtë vit, pasi të mbyllen kantieret e hapura për shkollat 9- vjeçare. Ai shtoi se dizenjimi i shkollës së re do të përfshijë edhe një auditor, si pjesë e paketës për rikonstruksionin e objekteve arsimore në kryeqytet.

“Ne na duhet të mbyllim njëherë shkollat që kemi: sapo kemi mbyllur kantieret te “26 Nëntori”, te “Emin Duraku” po mbyllet tani. Pra, duam të mbyllim 9-vjeçaret, që këtë vit të fillojmë projektin për “Petro Ninin” dhe të fusim buxhetin për shkollën e re. Tek shkolla e re do të kemi një auditorium, madje e kemi kthyer në praktikë në çdo shkollë të re që bëjmë”, theksoi kryebashkiaku.


Veliaj bëri me dije se së shpejti do të fillojë rikonstruksioni i pishinës te Parku Olimpik. Ai informoi po ashtu se gjimnazi “Dritëro Agolli” do i shtohet zonës tek Parku Olimpik, duke çliruar në këtë mënyrë edhe fluksin te “Petro Nini”.

“Ne i gjetëm pishinat e zaptuara prej 20 vitesh dhe çlirimi i tyre ishte një sukses. Tani do fillojmë edhe rikonstruksionin e pishinës te Parku Olimpik, duke qenë se ambientet e basketboll-volejbollit i kemi shumë herë më cilësore se sa ambientet e pishinave që morëm së fundmi. Këtë vit kemi futur buxhet edhe për pishina olimpike, për t’u siguruar që aty kemi një standard në not. Gjimnazi “Dritëro Agolli” do të jetë pranë Parkut Olimpik, në xhepin mes pallateve, çka do çlirojë nga fluksi “Petro Ninin”, u shpreh Veliaj.

Sa i përket mbarëvajttjes dhe funksionimit akademik, Veliaj vlerësoi portalin “Mësues për Shqipërinë”, si një nga sfidat më të rëndësishme në sistemin arsimor. “Ne mund të kemi shumë sfida me arsimin, por një nga gjërat që është bërë mirë është ky i portalit. Praktikisht, kur të ndërtohet shkolla e re tek Astiri, organika ose organizata e re do të formohet nga të parët e portalit të mësuesve. Pra, mësuesi njësh i fizikës, me zyshën njësh të anglishtes e kështu me radhë; pra, të gjithë të parët e portalit krijojnë këtë organizatë të re që do quhet shkolla e re”, tha ai.

Kreu i Bashkisë informoi po ashtu se këtë vit do të ndërtohen 12 palestra të reja, duke e çuar në 84 numrin e tyre. Ai theksoi se ky numër nuk i përgjigjet interesit të lartë nga ana e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në kurse sportive e si rrjedhojë po punohet për shtimin e këtyre ambienteve. “Këtë vit, kësaj baterie të 72 palestrave, do i shtojmë edhe 12 të tjera. Prapë nuk mjaftojnë. Inkurajimit të bashkisë për të çuar fëmijët në kurse sportive iu përgjigjën aq shumë prindër, saqë tani na duhen edhe më shumë ambiente”, u shpreh kryebashkiaku.

Gjatë bashkëbisedimit, Veliaj vlerësoi promovimin e të rinjve ekselentë, si një mënyrë për të shfaqur vlerat njerëzore tek të rinjtë dhe të rejat e kryeqytetit. Sipas kryebashkiakut, shembujt pozitivë, fryma e bashkëpunimit dhe solidariteti duhen parë si elementët e vetëm për të ecur përpara dhe për ta bërë vendin më të mirë.




Skip to toolbar