Analisti Arben Meçe thotë se vendimi i Gjykatës së Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës, i cili u qëllua në protestën e 21 janarit 2011 nga Garda, tregoi se gjykimi në Shqipëri për këtë çështje ka rënë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Meçe u shpreh se vrasja e Nikës është krim shtetëror.
Sipas Meçes, edhe 3 vrasjet e tjera do të kthehen për gjykim.
“Rasti që po diskutojmë është debatuar prej kohësh, në të gjitha rastet ka qenë qëndrim i prerë i joni, është vrasje shtetërore, është krim shtetëror. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri është me 3 shkallë, ka dhe Gjykatën Kushtetuese që lidhet më tepër me Kushtetuesen, por sa i përket të drejtave dhe lirive, vjen deri te Gjykata e Lartë. Shkalla e Parë, Apeli dhe Gjykata e Lartë. Vendimi i Strasburgut është nivel i katër tashmë, që nuk është nacional, por është evropian, është detyrues, ka të njëjtën vlerë si Gjykata e Lartë. Nëse Gjykata e Lartë merr vendim dhe rrëzon të gjithë nivelet e poshtëm të gjykimit, automatikisht çështja kthehet atje ku e kërkon Gjykata e Lartë.
E njëjta gjë ndodh edhe me Gjykatën e Strasburgut. Gjykata e Strasbugut, përfundimisht në procedurë, ka rrëzuar të gjithë procesin ligjor të kryer deri më tani për Nikën. Por jo vetëm kaq. Gjykata e Strasburgut ka hapur një kapitull që e gjithëpërfshin çështjen jo vetëm te Nika. Po të shohësh vendimin e gjykatës, nuk flet për Nikën, flet për një procedurë dhe veprim anti-ligjor që ka bërë gjithë zinxhiri, shteti, dhe fillon e zbërthen në detaje se ku janë urdhrat e shtetit.
Nuk jemi në kushtet e një vrasje të bërë nga pakujdesia, por gjykata e ngre stekën, dhe i gjithë gjykimi i bërë tani bie përmbys. Edhe 3 vrasjet e tjera do të rikthehen”, theksoi ai.