‘Vetting’ shitjes së armëve, Ministria e Brendshme do kalojë në ‘sitë’ bizneset

AKTUALITET


Ministria e Brendshme dhe qeveria planifikojnë të nisin procesin e vetting për pronarët e bizneseve të armëve. Ky proces sipas materialit të siguruar nga Report Tv kërkon të parandalojë ngjarje kriminale dhe të rrisë sigurinë në treg.

Në planin që tashmë është hedhur për konsultim thuhet se rritja e kapaciteteve të zbulimit dhe hetimit të rasteve të veprave penale me armë zjarri, trafikimit të armëve të zjarrit dhe rritja e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese brenda vendit dhe të huaja kërkon një kontroll dhe verifikim më të imtësishëm të figurës (vetting) për operatorët ekonomikë, personelin (administrator, pronar, punonjës) që kanë objekt veprimtarie importimin, tranzitimin dhe tregtinë e armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve (AME), informon shqiptarja.com.

Një ndër problemet e hasura së fundmi është edhe tregtia e armëve të zjarrit pjesëve të tyre dhe municioneve e armëve të ftohta të rrezikshme nëpërmjet pakove postare dhe tregtisë online. Skanimi i pakove, shkëmbimet e informacionit dhe monitorimi i klientëve kërkohet sipas kësaj strategjie të jetë i vazhdueshëm.

“Trafikimi i armëve të zjarrit, incidentet dhe veprat kriminale të kryera me armët e zjarrit në Shqipëri mbetet ende një fenomen shqetësues, i cili mund të trajtohet vetëm në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe ndërsektoriale, ku do të përfshihet një gamë e gjerë e aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë. Një tjetër fenomen kërcënues për të ardhmen mbetet edhe shfaqja e formave të reja të trafikimit të pjesëve të armëve të zjarrit përmes kolive postare apo postës së shpejtë, tregtimit të paligjshëm online, prodhimi i pjesëve të armëve në 3D etj. të cilat kërkojnë një përgjigje ndërsektoriale dhe gjithëpërfshirëse dhe mbështesin nevojën e një kuptimi më të gjerë të qëllimeve të politikave të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024 dhe adresimin ose parandalimin në kohë të këtyre formave të reja të paligjshmërisë në fushën e AME”, thuhet në planin e firmosur nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Në dokument thuhet se propozimi i këtij projektvendimi ka si qëllim miratimin e Planit të Veprimit 2022- 2024, të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe Eksplozivëve 2019-2024, si një instrument për të mbledhur të gjithë aktorët e interesuar shtetërorë dhe joshtetërorë, si edhe partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër keqpërdorimit, zotërimit të paligjshëm dhe trafikimit të armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve. Ky plan veprimi synon harmonizimin e përpjekjeve të të gjithë institucioneve dhe agjencive ligjzbatuese për implementimin e për Kontrollin e Armëve të Vogla, të Lehta, Municioneve dhe eksplozivëve./m.j



Skip to toolbar