‘Vjedhja ishte një inskenim’, pastruesja: Alda donte të fajësonte bashkëshortin, paratë i sillte dikush me çantë

AKTUALITET


Dëshmia e re e sanitares Rozeta Dobi solli arrestimin e ish-drejtoreshës së Ministrisë së Turizmit, Alda Klosi mbrëmjen e së premtes.

Dobi ka deklaruar se ajo nuk i ka vjedhur paratë nga shtëpia e ish-zyrtares, por e gjitha ishte një inskenim, pasi Klosi donte të ngarkonte me përgjegjësi bashkëshortin e saj, me të cilin kishte konflikte.


Sanitarja u shpreh se në dhjetor të vitit 2022, Klosi i kishte kërkuar që paratë që gjendeshin në kasafortë, t’i merrte dhe t’i dërgonte në banesën e saj.

Sipas Dobit, që prej vitit 2021, sasi parash vinin në banesën e Alda Klosit, teksa shtoi se dikush i sillte me çantë.

“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasafortë, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë.

Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”, mësohet të ketë thënë Rozeta Dobi.

Është e paqartë se kush e ka telefonuar policinë ditën kur janë marrë shumat e konsiderueshme të eurove nga banesa, vajza e ish-zyrtares apo vetë Alda Klosi.

Mbrëmjen e së premtes, policia arrestoi Alda Klosin, në banesën e të cilës pastruesja Rozeta vodhi një shumë të konsiderueshme parash prej mijëra eurosh.

Policia ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të lëshuar nga Prokuroria.

Izh-zyrtarja Klosi akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave dhe produkteve të veprës penale.




Skip to toolbar