Vjedhja, krimi i preferuar në Shqipëri

AKTUALITET


Më shumë se 1/3 e krimeve që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë vitit 2018 janë vjedhje e pasurisë. Shifrat janë bërë publike nga një raport i Prokurorisë së Përgjithshme, ku rezulton se gjatë një viti janë regjistruar në total 31 mijë e 409 procedime penale.

Sa i përket raportit të grup-veprave sipas strukturës së Kodit Penal me numrin total të procedimeve, ndër në krye të veprave penale, me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara nga ana e prokurorisë,  evidentohet vjedhja e pasurisë. Kjo vepër penale përbën numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara, me 34 për qind të numrit të përgjithshëm të procedimeve penale të regjistruara në prokurori për vitin 2018. Megjithatë, “zanati” i vjedhjes ka ardhur në ulje në Shqipëri, pasi krahasuar me vitin 2017, ka pasur një ulje të kësaj vepre penale në masën 2 për qind.


Po sipas shifrave të raportit, krimi i vjedhjes ndiqet nga veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike që përbëjnë 24 për qind të totalit. Pas tyre renditen veprat penale që lidhen me pronësinë me 5 për qind, veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes me 4 për qind etj. Krimet kundër shëndetit të kryera me dashje, krimet kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga punonjësit shtetërorë ose në shërbim publik, mashtrimet dhe veprat penale kundër drejtësisë, përbëjnë 3 për qind të numrit total të procedimeve të regjistruara në prokurori gjatë vitit 2018.




Skip to toolbar