Vjosa pranon Albinin

AKTUALITET


Vjosa Osmani dhe Albin Kurti do të drejtojnë qeverinë e re të Kosovës. Kandidatja e LDK-së Vjosa Osmani  ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Albin Kurtit për koalicion mes dy partive.

Osmani shkruan në një mesazh në facebook se Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.


“Këtë vjeshtë janë mbushur plot 20 vjet që jam bërë anëtare e LDK-së dhe gati po aq që kam shërbyer në institucionet e Kosovës.

Ka qenë rrugë jo e lehtë, plot pengesa e sfida, sikur për shumë të rinj e të reja në vendin tonë. Deri tani, ishte një rrugëtim i jashtëzakonshëm, përgjatë të cilit kam takuar mijëra gra e burra, vajza e djem, qytetarë të mirë të këtij vendi që më kanë mbushur plot shpresë për të ardhmen.

I falënderoj miliona herë, nga thellësia e zemrës, të gjithë që na përkrahën e besuan në ne, si dhe të gjithë aktivistët e veprimtarët që kurrë nuk reshtën së punuari me vetëmohim.

 Arritëm që të gjithë së bashku, por për një kohë tejet të shkurtë prej vetëm një muaji, ta ringrisim LDK-në në një rezultat që nuk e kishte nga viti 2004. Por, na mbetet edhe shumë punë për të bërë, edhe shumë sfida për të kaluar, e ato mund t’i kalojmë vetëm së bashku.

Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës.

Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam. Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!”, shkruani Osmani.

Vetëvendosja e Albin Kurtit doli fituese në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë e pasuar nga LDK e Vjosa Osmanit. Që te dy partitë fituese pritet të krijojnë së shpejti qeverinë e re të Kosovës.




Skip to toolbar