Vlerësohet në SHBA ndihma e Shqipërisë ndaj hebrenjve, Rama: Uniteti mes komuniteteve fetare i rrënjosur në ADN-në tonë

AKTUALITET


Kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës në SHBA mori pjesë në aktivitetin e organizuar në SHBA për kontributin dhe vlerësimin e dhënë nga Shqipëria për strehimin dhe mbrojtjen e Hebrenjve.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama veçoi unitetin mes komuniteteve fetare, si një bekim që vendi ynë gëzon, e që tashmë tha ai është i rrënjosur në ADN-në tonë.

“Dua të theksoj një detaj që do ta bëjë më të lehtë pjesën e dytë të fjalës sime. Mes të tjerave, z. Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë.Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi. Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë, takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm. Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare nuk është një shfaqje për publikun; është i rrënjosur në ADN-në tonë. Ai pasqyron një “mirëkuptim” dhe “mirëqenie” fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar, një bekim që e gëzojmë”, shprehet ndër të tjera Rama.

Rama theksoi se Terroristët kanë monumentet, por kurrë nuk duhet të kenë fitoret e tyre

“Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori, por nuk duhet të kenë kurrë fitore kundër njerëzimit tonë të përbashkët. Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë shumë prej atyre që e quajnë Gazën burg në ajër të pastër është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.”

Ndër të tjera Kryeministri Rama u ndal edhe tek ndihma që ka dhënë Shqipëria ndaj afganëve të cilët u strehuan në Shqipëri.


Fjala e plotë e Kryeministrit:

Është nder i jashtëzakonshëm që qëndroj këtu përpara jush, drejtuesve të Komunitetit Ndërkombëtar Hebre, mes të cilëve shoh shumë miq të çmuar të mitë dhe të vendit tim. Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan fillimisht.

Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koreanoverior në mes të Europës, shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”.

Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos harruar kurrë shkaqet e tyre. Ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Meqë ra fjala, u gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael kishte arritur në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë.

Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh të ndjerë, Shimon Peres, i cili, thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra. Po, ai do të triumfojë ngaherë”.

Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë. Ka një histori të thellë që lidh dy popujt tanë. Sigurisht, kapitulli më i njohur është Holokausti, kur Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur njëzet fish. Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës – fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose familjes dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi.

Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë.

Të dashur miq, Ndërsa shkruaja këtë fjalë, që ndjeja se ishte po aq një privilegj i veçantë, sa edhe barrë e madhe përgjegjësie, u përpoqa t’i rri besnik traditës hebreje: ta nisja me nota të trishta, për ta përmbyllur më pas me nota të gëzueshme shprese e besimi. Por, përpara se të trajtoj çështjet komplekse që më keni “ngarkuar”, më lini të ndalem një moment për të çmuar këtë “Sukkah” që keni ngritur rreth meje sot. Kam një ndjesi jashtëzakonisht të veçantë për marrjen e këtij nderi dhe nuk jam i sigurt aspak se mund ta marr mbi vete, por jam 100% i sigurt se mundem ta marr si nder për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, që është treguar e mirë me hebrenjtë qysh në fillim të kohërave.

Talmudi thotë: “Çfarë vjen prej zemre shkon drejt e në zemër”. Kjo është ngrohtësia dhe afërsia që ndjej sot thellësisht me këtë përfaqësim të mrekullueshëm të vogël të komunitetit të madh hebre. Todah rabah të gjithëve ju.

Faleminderit! Përulem para jush me mirënjohje. E di, natyrisht, që protokollet e pafolura kërkojnë që kur një udhëheqës merr një dhuratë a një nderim, duhet ta zvogëlojë ca e t’ia dedikojë popullit të tij, por, më besoni, nuk është aspak kështu kur them se pa popullin shqiptar, trashëgiminë tonë të artë dhe mikpritjen tonë fetare, asgjë nga këto nuk do të ishte e mundur.

Megjithatë, unë s’jam një udhëheqës tradicional ose, së paku, shpresoj nuk jam bërë i tillë, ndaj më duhet të shtoj me sinqeritet të plotë se, po, jam vërtet i lumtur edhe në nivel personal që marr këtë çmim.

Si ithtar i vërtetë i idesë se të jesh udhëheqës nuk duhet të të pengojë të thuash atë që mendon, besoj se Elie Ëiesel kishte të drejtë kur thoshte se nuk ka rastësi në historinë e popullit hebre. Prania ime këtu dhe marrëdhënia kohëgjatë midis vendeve tona sigurisht që nuk janë rastësi. Tani, për ta thënë deri në fund, modestia nuk është pika ime e fortë, por premtoj se kjo është gjithçka do dëgjoni për mua sonte.

Prej këtej e në vazhdim, më lejoni të flas për ne, me shpresën që, siç thotë edhe Rabini i Lartë, Jonathan Sacks: “Kur kalojmë nga politika e “Unit” te politika e “Ne”, rizbulojmë ato të vërteta kundërintuitive që ndryshojnë jetën”. Të vërtetat që një komb është i fortë kur kujdeset për të dobëtin, se ai pasurohet kur kujdeset për të varfrin dhe se bëhet i pacenueshëm kur kujdeset për të cenuarin janë absolutisht thelbësore, por do të doja të zbuloja këtu edhe fuqinë e një kombi kur kujdeset për miqësitë e tij. Përveç çmimit, ajo që më jep krenari sot është ngrohtësia e miqësisë që ndjej këtu mes jush — që, pa asnjë dyshim, është reciproke.

Ky ishte natyrisht edhe rasti javën e kaluar, kur Presidenti Isaac Herzog u bë i pari president izraelit në histori që vizitoi Shqipërinë dhe provoi shijen e mikpritjes sonë. Shumë vonë për një ngjarje të tillë historike, por pikërisht në kohën e duhur po të mendojmë për kontekstin historik të betejës me të cilën përballet sot kombi dhe shteti hebre, i cili lufton jo vetëm për të drejtën e tij të vetëmbrohet nga një formë e re e mbrapshtë nazizmi, por edhe për botën ku jetojmë që të mos u besojë përgjigjeve të lehta përballë një kërcënimi ekzistencial të hapësirës së lirë dhe demokratike që kemi ndërtuar të gjithë së bashku, pas makthit të Luftës së Dytë Botërore. Dua të theksoj një detaj që do ta bëjë shumë më të lehtë pjesën e dytë të fjalës sime. Mes të tjerave, z. Herzog vendosi një kurorë në Memorialin e Holokaustit në Tiranë bashkë me drejtuesit tanë fetarë. Megjithatë, lajmi i vërtetë nuk ishte që ata u takuan; lajm ishte që askush nuk shkroi rreth këtij takimi.

Në një vend ku krerët e komuniteteve të myslimanëve sunitë, bektashinjve, një urdhër i moderuar i shiitëve sufistë, të krishterëve ortodoksë dhe katolikë takohen rregullisht dhe kremtojnë festat fetare të njëri-tjetrit, takimi i presidentit të Izraelit me ta nuk përbën lajm. Ky unitet midis drejtuesve tanë fetarë dhe komuniteteve fetare nuk është shfaqje për publikun; është e rrënjosur në ADN-në tonë. Ai pasqyron një “mirëkuptim” dhe “mirëqenie” fetare që është kaq e veçantë në këtë botë të trazuar e të hutuar – një bekim që e gëzojmë. Shqipëria ka qenë gjithmonë kështu dhe kjo shpjegon edhe faktin pse kemi qenë kaq të aftë të zbatojmë politika paqeje, dialogu dhe tolerance me fqinjët tanë dhe pakicat brenda territorit tonë, të cilat kurrë nuk kanë vuajtur nga ndonjë lloj diskriminimi etnik apo fetar. Shqipëria qe vendi i parë në Europë, që, në vitin 1932, kur antisemitizmi ishte në rritje, njohu me ligj të drejtën e komunitetit hebre për të kremtuar Sabatin.

Gjatë Holokaustit, kur udhëheqësi nazist, Hermann Neubacher, thirri krerët fetarë e politikë në vitin 1943, në Berlin, për të kërkuar një listë të hebrenjve dhe sasinë e floririt në bankën e Romës, përfaqësuesit tanë iu përgjigjën: “Floririn mund ta marrësh, ata jo”. Edhe disa takime bisedimesh nuk i bënë të ndërronin mendje: “Floriri është i juaji, merreni, hebrenjtë janë tanët e do t’i mbrojmë!”. Dhe këto janë të gjitha të shkruara në procesverbalet e negociatave. Vazhdojmë të jemi kështu edhe sot.

Më treguan një histori të shkruar të një studiuesi të ri hebre, i quajtur Theo Canter, i cili kish vizituar së fundmi Muzeun e Solomonit në qytetin e lashtë të Beratit, trashëgimi e mbrojtur nga UNESCO. Dhe la një shënim. “Këtu, isha ai hebreu greko-polak që mbante në kokë një kippah, në një kishë të vjetër shekullore bizantine, në vendin më mysliman të Europës, në islamin më laik dhe, ndoshta, në vendin më tolerant në botë. Dhe u ndjeva më i sigurt kur ecja atje, sesa në vendin tim”.

“Një rilindje post-komuniste me një prekje hebreje”, thotë ai. I jam kthyer shumë herë historisë sot, por ajo çfarë e ka drejtuar punën në postin që mbaj e që më ka sjellë këtu është pikërisht përjashtimi i historisë nga e gjithë politika dhe politikat e qeverisë sime. Në vitin 2014, kur u bëra Kryeministri i parë shqiptar që vizitoi Beogradin pas 68 vjetësh, më vunë lloj-soj emrash, mes të cilave, ai i tradhtarit ishte më i miri. Ne shqiptarët mund të jemi shumë pjellorë kur mallkojmë, nëna ime nuk jeton më por do e mbante mend shumë mirë. Megjithatë, kurrë nuk do të heq dorë nga bindja se që Shqipëria të rritet e begatohet si komb krenar e që të vazhdojë të jetë një shtet i vogël model, është thelbësore që të shohë e të mësojë nga e shkuara me sytë e së ardhmes dhe të mos lejojë asnjëherë që e ardhmja të përfytyrohet me sytë e së shkuarës.

Të dashur miq, Jam plotësisht i ndërgjegjshëm për elefantin në këtë dhomë. Nuk është e lehtë të zhvillosh një takim të tillë në sfondin e dhimbjes dhe vuajtjes së pamasë që sulmi vrasës masiv i 7 tetorit i solli popullit të Izraelit, por edhe dhimbjen e vuajtjen e pamasë që lufta në Gaza po iu shkakton shumë palestinezëve të pafajshëm.

E di, do të qe shumë e lehtë ta linim mënjanë elefantin dhe pastaj të përpiqeshim të qëmtonim e nxirrnim nga ky sfond një mendim të vërtetë që i jep Çezarit ç’i takon Çezarit e i jep Zotit çfarë i takon Zotit, pa lënduar ndjenjat e askujt. Megjithatë, më lini të citoj edhe njëherë Rabinin Sacks: “Terrori dështon dhe do të dështojë përherë, sepse ngjall te ne thellë instinktin e jetës”.

Ndërkohë që bota mund të jetë e ndarë për mënyrën sesi dilet nga kjo luftë shkatërruese pa dëshmuar klithmat e përditshme të dhimbjes së të pafajshmëve në Gaza, është thjesht një marrëzi e cila mund të sjellë pasoja shkatërruese për të gjithë ne që të mos jemi të bashkuar për ta përkufizuar me vendosmëri terrorin si armikun e përbashkët. Të kërkosh një përgjigje proporcionale kundër terrorit është jo vetëm kërkesë për diçka jorealiste, por edhe që të bashkëjetosh me terrorin, duke njohur terroristët si homologë legjitimë që duhen zbutur, jo si armiq të përbashkët që duhen mposhtur. Ka një histori në librat e shenjtë. Njëherë, një luaneshë doli shëtitje me këlyshët e saj për t’i udhëzuar për faktet e jetës së luanëve. Nëna tha: “Ne, luanët, jemi mbretërit e botës së kafshëve dhe mund të mposhtim çdo krijesë tjetër. Edhe qeniet njerëzore janë në mëshirën tonë. Kurrë nuk duhet të keni frikë askënd”. Ndërsa vazhdonin të shëtitnin, kaluan bri një monumenti që shfaqte Samsonin i cili shqyente një luan. “Nënë, – i beh këlyshi i tronditur, – a  nuk më the që ne mund të vëmë poshtë edhe njerëzit dhe që nuk duhet të kemi frikë kurrë?” “Po”, ia priti ajo, – dhe monumenti e provon këtë gjë. Nëse kjo do të ndodhte rëndom, nuk do t’i kishin ngritur monument!”

Terroristët kanë monumentet e tyre. 11 shtatori, 7 tetori, por nuk duhet të kenë kurrë fitore kundër njerëzimit tonë të përbashkët.

Po, mund të gjenden plot arsye për të kritikuar Izraelin në luftën e tij në Gaza, por asnjë nga ata që përkrahin lirinë e demokracinë nuk duhet të harrojë se Hamasi përfaqëson një prej shëmbëlltyrave më të këqija antidemokratike të kësaj bote. Pra, ajo që u duhet thënë shumë prej atyre që e quajnë Gazën burg në ajër të pastër është se gardiani i të burgosurve brenda atij burgu është Hamasi, jo Izraeli.

Nëse Hamasi do të ishte një forcë e zgjedhur e cila, në vend të kërkonte shkatërrimin e Izraelit me mbështetjen e Iranit, do të kërkonte lirinë dhe prosperitetin e popullit të tij përmes rendit demokratik, do të isha i pari që do të thoja se Izraeli është gabim dhe duhet të ndalet e të trajtohet si agresor kundër një fqinji që kërkon paqe. Por edhe pse vuaj si çdo qenie tjetër njerëzore dëshmitare e asaj çfarë po ndodh në Gaza,  e kam të pamundur t’i jap edhe fijen e mundësisë për t’i besuar Hamasit, që është xhelati i përditshëm i popullit të vet qysh prej shumë viteve në pushtet, në luftën kundër të cilit, sinqerisht, nuk gjej asgjë fisnike më shumë sesa gjej në luftën e ISIS-it apo të nazizmit kundër njerëzimit. Për fat të keq, asnjë nuk ka shpikur ende një metodë mposhtjeje të dhunës për vetëmbrojtje pa forcë dhe, sërish, ne, sigurisht, jemi mjaft të vetëdijshëm se ajo çfarë po ndodh në territoret ku jetojnë populli i Izraelit dhe populli i Palestinës është diçka që duhet të marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur.

Shqipëria ka votuar më shumë se njëherë në Kombet e Bashkuara pro armëpushimit të menjëhershëm, por, ndërkohë, nuk kemi dyshuar kurrë që një armëpushim i cili nuk përfshin lirimin e të gjitha pengjeve nuk është veçse inkurajim për Hamasin. Po kështu, ne kemi përkrahur prej një kohe të gjatë dhe përkrahim vendosmërisht zgjidhjen me dy shtete si e vetmja rrugë përpara drejt një paqeje afatgjatë, por, për ne, kjo do të thotë që Hamasi duhet të dalë jashtë loje dhe të ketë një përfaqësim të besueshëm politik të mbështetur nga të gjitha vendet arabe për palën palestineze.

Nga ana tjetër, jam krejt i vetëdijshëm se gjithë fjalët që themi janë ende më të lehta sesa veprat, pasi nuk ka dyshim se të luftosh terrorizmin në front është shumë më e vështirë sesa t’u bësh leksione luftëtarëve nga larg, ndërkohë që pengjet e pafajshme në duart e xhelatëve nuk janë njerëzit tuaj, por qytetarët e një vendi të cilit historia i ka mësuar në mënyrën më të egër se kur armiku merr jetën e një njeriu të vetëm për shkak të kombësisë, jeta e gjithë kombit është në rrezik. Në këtë luftë të përbashkët kundër terrorizmit, kundër antisemitizmit, radikalizmit dhe të gjithë të këqijave të botës ku jetojmë, Shqipëria qëndron e vendosur krah gjithë atyre që nuk janë gati të harrojnë mësimet e rënda të historisë dhe as të jetojnë nga e para një të kaluar që i ka kushtuar dhimbjet më të tmerrshme njerëzimit.

Të parët tanë na mësuan vlerën e të qëndruarit krah hebrenjve duke vënë jetët e tyre në rrezik për t’i mbrojtur nga kasapët e Luftës së Dytë Botërore dhe, po ashtu, i mësuan botës se ishte veç nder të ishe mysliman e të strehoje në shtëpi hebrenjtë, të ishe i krishterë e të bëje të njëjtën gjë, të ishte thjesht njeri kur të tjerë njerëz në rrezik kishin nevojë për ndihmën tënde. Me cfarëdo çmimi.

Me të njëjtën frymë iu dhamë strehë mijëra refugjatëve iranianë, jeta e të cilëve rrezikohej çdo ditë në Kampin “Liria” në Irak, ku plaçkiteshin e vriteshin nga vrasësit e Teheranit.

Vende më të mëdha e më të forta europiane nuk deshën t’i ndihmonim dhe ne e paguam shtrenjtë mikpritjen për ta, pasi  regjimi totalitar i Teheranit u angazhua për të kryer një sulm kibernetik masiv kundër Shqipërisë, që synonte të zhdukte gjithë infrastrukturën tonë digjitale të shërbimeve publike.

Po ne nuk hoqëm dorë dhe nuk do të heqim dorë nga zotimi për t’i strehuar ata njerëz në vendin tonë për aq kohë sa është e nevojshme, sepse mikpritja jonë nuk ishte dhe as është e lidhur me ndonjë qëndrim politik kundër Iranit, por vetëm me bindjen humanitare gdhendur në shpirtin tonë si komb.

U detyruam t’i përgjigjeshim sulmit brutal të regjimit iranian duke ndërprerë marrëdhëniet tona diplomatike dhe duke përjashtuar personelin e tij diplomatik nga vendi ynë, por e përsëris se iranianët në Shqipëri janë në besën tonë, ashtu siç qenë hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Teheranit do i duhet të ndajë mendjen se nuk ka shanse që t’i dorëzojmë ndonjë prej tyre regjimit. Nga ana tjetër, po aq inkurajojmë miqtë e strehuar të mos angazhohen në asnjë aksion politik që përdor si platformë Shqipërinë.

Së fundi, u desh t’u hapnim dyert mijëra afganëve, jetët e të cilëve u gjendën të rrezikuara befas nga rënia e Kabulit.

Ishte vërtet e sikletshme të shihje si më të mëdhenjtë e të pasurit mes anëtarëve europianë të NATO iu shmangën detyrimit më të natyrshëm njerëzor për t’i shpëtuar ata pasi lamë vendin.

Ata i besuan ëndrrës që iu shitëm me plot fjalë të bukura, liri, demokraci, të drejtat e grave, media e lirë e kështu me radhe dhe u ekspozuan me gjithë zemër duke punuar për ne në Afganistan si qytetarë të lirë dhe punuan për ne si shoferë, pastrues, përkthyes, teknikë. Por, befas, ne ndryshuam mendje dhe i lamë armiqtë e tyre të merrnin pushtetin dhe premtimet tona të bukura nuk kishin më vlerë në vetminë e tyre të errët e tmerruese.

Në fakt, nuk i takon Shqipërisë të thotë nëse duhej të qëndronim apo të iknim. Jemi shumë të vegjël për vendimet e mëdha të aleancës sonë. Por shpirtin e kemi shumë të madh për të mos parë dëshpërimin e këtyre afganëve si dëshpërimin tonë kur ishim nën sundimin e talebanëve të kuq.

Kështu, në bashkëpunim me një sërë organizata humanitare në Shtetet e Bashkuara dhe me ndihmën e Departamentit të Shtetit, i strehuam dhe iu dhamë shansin të nisnin një jetë të re, në vend se të ekzekutoheshin apo të harroheshin deri në vdekje, në burgjet  ferrit të talebanëve. Dhe jemi shumë krenarë kur shohim që ata marrin frymë lirisht këtu, në Shtetet e Bashkuara, në Kanada dhe edhe në Shqipëri.

Shqipëria qëndron sot në skenën botërore krenare pas kalimit nga një e shkuar e errët diktatoriale në një rrugëtim të gjatë tranzicioni, gjatë të cilit kemi vuajtur shumë paragjykime nga bota jashtë dhe damkën e kriminelëve të varfër.

Transformimi i vendit tonë përmes një reforme rrënjësisht të fortë por të nevojshme të drejtësisë dhe lulëzimit të turizmit në nivelin tonë të lartë sigurisë dhe rolet tona në Këshillin e Sigurimit, në krye të OSBE-së dhe Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut flet vetë.

Ne kemi gjetur zërin tonë në rajon – një zë të cilin fuqitë e mëdha e dëgjojnë dhe e besojnë. Por meraku im është të sigurojmë që ky pozicion i ri i Shqipërisë të bëhet i pakthyeshëm. Ne duam miqësi më të forta me të gjithë miqtë tanë të natyrshëm. Aleatët tanë strategjikë janë ShBA-ja dhe BE-ja, e cila është bekimi i rajonit tonë, që, në të kundërt, mund ta harronte shtetndërtimin demokratik dhe prosperitetin.

Ne kemi partneritete strategjike me Italinë, Turqinë dhe Greqinë.  Këta janë fqinjët tanë, mund ta imagjinoni, nuk është e lehtë, por ata janë miqtë tanë. Ne duam lidhje më të forta me Izraelin.Ne duam partneritete më të forta me botën arabe dhe kemi forcuar shumë partneritetin  me Emiratet e Bashkuara Arabe, që është një vend mjaft frymëzues me një udhëheqës progresiv vizionar paqedashës që vjen vetëm njëherë në jetë dhe, po ashtu, me Arabinë Saudite, shtysa për reforma e së cilës dhe kërkimi i progresit nën drejtimin e një udhëheqësi tjetër vizionar na ka afruar shumë më tepër se më parë. Ne nuk duam konflikte apo mëri nacionaliste në rajon.

Ne synojmë të promovojmë jo vetëm me fjalë, por me shembullin tonë, vetëm paqen, bashkëpunimin rajonal dhe gjithnjë dialogun në vend të matjes së muskujve. Kam një mësim nga gjyshja ime që më vërtetohet gjithmonë: “Fqinj i lumtur, shtëpi e lumtur”.

Besoj se nëse mendojmë se Zoti është në anën tonë por edhe në anën tjetër, kemi mundësinë të kuptojmë që në sytë e Zotit jemi të gjithë në të njëjtën anë: anën e njerëzimit. Fakti që  shkruante se “Madhështia  e njeriut nuk gjendet te pasuria apo pushteti, por te karakteri e mirësia” dhe se “të gjithë ne kemi lindur të mirë në thelb”, nuk e shpëtoi Ana Frankun. Por, siç thekson Simon Ëiesenthal, “që e keqja të lulëzojë, duhet vetëm që njerëzit e mirë të rrinë pa bërë gjë”.

Rosh Hashanah—Viti i Ri hebre—një kohë për reflektim, ripërtëritje dhe fillime të reja po afrohet me shpejtësi. Është një kujtesë se edhe përballë vështirësisë dhe turbullirave ka gjithnjë mundësi për t’ia nisur nga e para. Rosh Hashanah na mëson se e shkuara nuk na e përcakton të ardhmen; në të kundërt, na kërkon të përqafojmë premtimin e asaj çka vjen me shpresë dhe vendosmëri.

Ashtu si tingulli i Shofarit zgjon shpirtin brenda nesh, ashtu edhe ky moment le të zgjojë vendosmërinë tonë për të ndërtuar një botë ku paqja, toleranca dhe mirëkuptimi nuk janë thjesht aspirata, por realiteti që krijojmë në mënyrë aktive dhe pjesë e tij është qëndrimi i palëkundër kundër antisemitizmit, islamofobisë dhe të gjtiha formave që e keqja përdor për të hutuar botën. Edhe njëherë, falemnderit që ishit pika e shndritshme e një udhëtimi tjetërsoj të zymtë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ju faleminderit!



Skip to toolbar