Von der Leyen pret liderët e Ballkanit Perëndimor: Të gjashtë vendet i përkasin Evropës

Më të fundit


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takua në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune. Në këtë takim në morën pjesë kryeministrat e  Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia u përfaqësua me presidentin Vuçiç.

“Sot prita liderët e gjashtë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Të gjashtë vendet i përkasin Evropës. Kjo është ajo që ne po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me tonat me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin.” shkruan ajo përmes një postimi në rrjete sociale.

Von der Leyen ka caktuar kandidaten nga Sllovenia, Marta Kos, si komisionare për Zgjerin, që do të thotë se ajo do të merret edhe me raportet me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Von der Leyen me këtë takim po ashtu dëshiron të dëshmojë se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Pritet që në takim temat kryesore të jenë “agjenda e reformave dhe rritjes”, të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bosnja e Hercegovina ka qenë e fundit që ka dorëzuar një dokument të tillë.

Von der Leyen personalisht ishte angazhuar për të promovuar këtë plan, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Ky plan, që është një paketë prej 6 miliardë eurosh, konsiderohet si plani më ambicioz financiar i BE-së për vendet e rajonit dhe ka për qëllim t’iu ndihmojë atyre të përshpejtojnë rritjen ekonomike, procesin e reformave dhe në këtë mënyrë të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në BE.



Skip to toolbar