Në Gjykatën e Posaçme të Apelit është duke u zhvilluar procesi gjyqësor ndaj kopshtarit Festim Bexhdili, për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje kjo e ndodhur në 17 janar 2020.
Në shkallë të parë Festim Bexhdili është dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë avokati Ilir Murati ka thënë: Prokuroria e posaçme ka bërë gabime gjatë këqyrjes së pamjeve filmike, i mbrojturi prej meje nuk është ngjitur në makinën 18:29 minuta është në këmbë, nuk është në makinën që do të transportojë pengun me makinën tip “mercedes vito” që dyshohet se ka marrë pengun. Në orën 18:30 minuta makina që do të transportojë pengun ndizet dhe bëhet gati të largohet por Bexhdili nuk ka hipur në atë makinë. I mbrojturi prej meje e pranon që ka ndihmuar për të futur pengun Jan Prenga nga makina range rover tek makina tjetër, por nuk ka kryer veprime të tjera. Kërkojmë që në kuadër të këtij procesi te këqyren pamjet filmike të ngjarjes. Gjykata administron provat e dorëzuara nga mbrojta, tabelat fotografike.
Ndërkohë sipas SPAK: Festim Bexhdili e ka nxjerrë trupin nga makina dhe e ka mbështjellë me qese te zeza ne na rezulton që i pandehur ka dal nga kompleksi dhe është rikthyer sërish në kompleks, ku ka vijuar më pas me veprimet e tjera.
ABC News mëson se Aldo Majnishta i pandehur për të njëjtën çështje, refuzoi të jepte deklarime në seancen ndaj Bexhdilit. Sakaq Dritan Rexhepi ka kërkuar të përfaqësohet nga avokatët dhe nuk ka ardhur në seancë, mbrojta e Festim Bexhdilit kërkon që ky i fundit të thirret për të dhënë shpjegime në gjykatën e posaçme të Apelit.
Gjykata urdhëron që Dritan Rexhepi të shoqërohet forcërisht në seancën e radhës. Seanca do të zhvillohet të premten në orën 9.