Vrasja e Papës / Tabulatet zbuluan vendndodhjen e Velos. Bode dyshohet se ka ikur ilegalisht nga Shqipëria 

AKTUALITET


Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Edvin, i dyshuari si ekzekutor i Edmond Papës, zyrtarisht me sistemin TIMS rezulton të ndodhet brenda territorit shqiptar.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për gazetarin e Klan News Besar Bajraktari se nga të dhënat që kanë marrë dyshohet se 44-vjeçari me origjinë nga Berati mund të jetë larguar në mënyrë ilegale jashtë vendit.


Dyshimet janë se Bode mund të jetë larguar drejt Greqisë, dhe më pas tranzit drejt vendeve të tjera. Ai është person me precedent penalë për drogë, por asnjëherë nuk është dënuar me vendim gjykate.

Mbi dyshimin se një nga autorët e vrasjes së Papës ndodhej në Greqi, një grup hetimor iu drejtua vendit fqinj për të bashkëpunuar në hetime.

Nga ana tjetër hetuesit kanë marrë në pyetje edhe babain e Albano Velos, Dilaver Velo. Ky i fundit oficer policie në Komisariait 4 dhe u pezullua nga detyra pas arrestimit të të birit si organizator në vrasjen e Papës. Dilaver Velo ka pohuar se nuk ka pasur djeni për implikimin e të birit në ngjarje.

Por AMP ka nisur verifikimet për të verifikuar nëse i ati ka favorizuar Albano Velon për ta larguar nga Shqipëria.

Janë verifikuar tabulatet telefonike të Albano Velos që kanë vërtetuar dyshimet e policisë që ditën e krimit, më 16 dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa. Deri më tani 44-vjeçari Bode nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Kjo pasi policia është në pritje që gjykata të caktojë masën e sigurisë arrest në burg në mungesë. Pas vendimit, nëpërmjet Interpolit emri dhe foto e Bodes u dërgohet agjencive dhe partnerve të huaj për arrestimin e 44-vjeçarit.




Skip to toolbar