Merr përmasa edhe më të rënda ngjarja e ndodhur paraditen e kësaj të marte në Rrëshen, ku u vra në atentat 59-vjeçari Martin Bardhi. Në një njoftim të dytë për mediat, policia e Lezhës tha se nga të shtënat kanë mbetur të plagosur 3 qytetarë, të cilët janë dërguar për ndihmë në spital. Të plagosurit janë Ilir Bardhoku, Olti Gjini, Indrit Bardhi. Ky i fundit mësohet se është i afërm i viktimës.
“Në vijim të informacionit të dhënë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrëshen, ku nga shtetas ende të paidentifikuar, u vra me armë zjarri shtetasi Martin Bardhi, ju informojmë se si pasojë e të shtënave, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, Ilir Bardhoku, Olti Gjini, Indrit Bardhi, të cilët kanë qenë në afërsi të vendit ku ka ndodhur ngjarja dhe janë transportuar në spital, për të marrë ndihmën mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sa i përket atentatorëve, ata dyshohet se ishin 2 persona, të cilët udhëtonin një makinë fuoristradë. Mjeti në fjalë u gjet i djegur në fshatin Gëziq të Mirditës vetëm pak kohë pas ngjarjes së rëndë.
“Në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët, për kryerjen e vrasjes. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli. Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike. Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, me specialistë nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH dhe nga Policia vendore, dhe në drejtimin e prokurorit, vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, shton policia.
Kujtojmë se të shtënat ndodhën rreth orës 10:40 të paradites së sotme në një lokal që ndodhet në qendër të Rrëshenit, në afërsi të spitalit, por edhe komisariatit të policisë. Tvklan.al mëson se lokali në fjalë ishte në pronësi të viktimës, Martin Bardhi.
Ekzekutimi i tij paraprakisht dyshohet të ketë ardhur për motive hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve të shkuara mes fisit Bardhi dhe Reçi.