Vuçiç: Duam kompromis me shqiptarët! Lufta Armeni-Azerbajxhan na tregon sa të rrezikshme janë konfliktet

AKTUALITET


Unë jam kundër ruajtjes së konfliktit të ngrirë dhe ne po përpiqemi të bëjmë një kompromis me shqiptarët, ka deklaruar të shtunën në Beograd, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Ai këto komente i bëri në hapjen e dialogut të tretë për çështjen e Kosovës me përfaqësuesit e Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, konventë kjo që bashkon rreth 700 organizata të shoqërisë civile.

Vuçiq ka deklaruar po ashtu se ‘gjëja më e rëndësishme është ruajtja e paqes dhe stabilitetit në rajon’.

“Rasti i Armenisë dhe Azerbajxhanit na ka treguar se sa të rrezikshme janë të ashtuquajturat konflikte të ngrira. Sepse një ditë, gjithçka që është e ngrirë do të shkrihet nga dikush”, ka deklaruar Vuçiç.

Ai ka vlerësuar po ashtu se reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj ripërtëritjes së konfliktit në Nago-Karabak ishte i vakët dhe se kjo mund të shërbente si një mësim për Serbinë.

“Kjo na tregon shumë mirë që kohërat në botë kanë ndryshuar, se ka interesa të veçantë më të fortë në krahasim me interesa me të vogla grupore të cilat kanë ekzistuar më herët dhe se ne e dimë shumë mirë se duhet të jemi të gatshëm për të ruajtur vendin tonë në çdo kohë,” tha Vuçiç.

Presidenti i Serbisë tha se politika e saj e plotë e jashtme ka dy qëllime kryesore – e para është pozicionimi i vendit dhe ruajtja e stabilitetit politik dhe paqes në rajon, dhe e dyta është përparimi ekonomik i vendit.

Tema e këtij takimi ishte “Politika e Jashtme e Serbisë” dhe “Perspektivat e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit dhe rifillimi i dialogut për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.

Kompromisi i ‘pakalueshëm’ Kosovë-Serbi

Së fundmi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se pa dashur që të hyjë në detajet e Planit të Ahtisarit apo proceseve politike në Bruksel, “është e pamundshme që të arrihet te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, pa bërje të kompromiseve nga të gjitha palët”.

Ai ka theksuar që serbët kanë qasjen e tyre sa i përket Planit të Ahtisarit dhe asaj që ka ndodhur në të kaluarën, por ka shprehur mendimin që “për të shkuar përpara, secili duhet të shikojë edhe një herë mirë gjërat”./REL



Skip to toolbar