Wolfgang Schäuble – shuhet një institucion politik gjerman

BOTA


Ish-presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare. Politikani i CDU u shua në qetësi, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, në shtëpi me familjen e tij të martën në mbrëmje rreth orës 20:00, kumtoi familija. Në karrierën e tij të gjatë politike, Schäuble ka mbajtur poste të shumta politike në institucione të ndryshme. Nga skena politike e vendit largohet një institucion i vërtet politik. Një politikan me pasion, një person që me energji e përkushtim ka ushtruar detyrat e tij të shumta politike. Një njeri që nuk u përkul kurrë nga goditjet e rënda të fatit.

Wolfgang Schäuble (i lindur më 1942) ishte diçka si vetë historia politike e Republikës Federale të Gjermanisë. Politikani i CDU ka qenë deputet i Bundestagut pa ndërprerje që nga viti 1972. Ky është një rekord: në rreth 150 vjet të historisë kombëtare parlamentare, askush nuk e ka arritur këtë para tij. Një jetë pa politikë ishte e paimagjinueshme për Schäuble.


“Unë jam një parlamentar me pasion”, thoshte ai vazhdimisht. I pyetur në një intervistë se si ndihej që kishte formësuar politikën në Bundestag për rreth gjysmë shekulli, Schäuble u përgjigj – me një buzëqeshje enigmatike, me sytë që vezullojnë, e ndoshta edhe me një prekje ironie intelektuale që ishte tipike për të: “Kështu mund ta shihni se sa argëtuese mund të jetë politika”.

Wolfgang Schäuble: “Jeta është shpresë”

Dy pika kthese formësuan jetën politike dhe private të këtij burri nga Badeni: një tentativë vrasjeje në vitin 1990, e cila e detyroi atë të jetonte në karrocë invalidi që atëherë. Dhjetë vjet më vonë atij iu desh të hiqte dorë nga udhëheqja e partisë CDU dhe bashkë me të nga perspektiva për t’u bërë një ditë kancelar.

Wolfgang Schäuble - shuhet një institucion politik gjerman


Wolfgang Schäuble pas atentatitFotografi: Norbert Försterling/dpa/picture-alliance
I biri i një politikani lokal të CDU-së nga Freiburgu ka studiuar për ekonomi dhe më vonë u bë edhe doktor i shkencave juridike. Helmut Kohl, kancelar i sapozgjedhur asokohe, e thirri atë në selinë e atëhershme të qeverisë në Bonn në vitin 1984. Ai u emërua shef i Kancelarisë dhe kështu organizator i pushtetit. Në vitin 1989, Schäuble u bë Ministër i Brendshëm, ndërsa momenti i përshtatshëm politik e katapultoi atë në qendër të vëmendjes. Pas rënies së Murit, ai luajti një rol kyç në negocimin e traktatit të bashkimit midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe RDGJ. Vetëm disa javë më vonë, më 12 tetor 1990, një i sëmurë mendor qëlloi me armë zjarri dhe e plagosi rëndë Schäublen në një tubim elektoral. Që atëherë ai ka qenë në një karrocë invalidi – i paralizuar nga rruaza e tretë torakale e poshtë.

Dorëzimi nuk ishte opsion për të! Ai nuk hezitoi shumë gjatë. Tha me vete: “Nuk mund ta ndryshoj fatin, por do të jetoj sa të jem gjallë”. Gjashtë javë pas sulmit, ai dha konferencën e tij të parë për shtyp ndërsa ishte ulur në një karrocë invalidi.

Vorbulla e aferës së donacioneve të partisë CDU

Në vitin 1998, Wolfgang Schäuble u bë kryetar i CDU-së. Kancelari Helmut Kohl vazhdimisht theksonte se do të dëshironte që Schäuble të ishte pasardhësi i tij si kancelar. Gjërat rrodhën ndryshe. Në fund të vitit 1999 u bë e ditur se kishte donacione të paligjshme partiake për CDU dhe llogari sekrete gjatë kohës së kancelarit Helmut Kohl. Vetëm disa javë më vonë, Wolfgang Schäuble pranoi se kishte marrë 100.000 euro nga një tregtar armësh për fondet e fshehta të CDU-së. Ai dha dorëheqje nga posti i kryetarit të partisë. Ishte kjo një “goditje e fortë”, tha Schäuble në një intervistë me NZZ.

Ministër me parime

Wolfgang Schäuble - shuhet një institucion politik gjerman


Wolfgang Schäuble dhe Helmut KohlFotografi: Franz-Peter Tschauner/dpa/picture alliance
Gjatë viteve kur CDU ishte në opozitë (1998-2005), Wolfgang Schäuble u përqendrua në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Në koalicionin e madh nga viti 2005, ai fillimisht u bë ministër i Brendshëm e më pas edhe ministër i Financave. Opozita e quante ate “një qen i ashpër”. Për shembull, ai mbështeti një ligj të sigurisë së aviacionit që mundësonte rrëzimin e një avioni që është rrëmbyer nga terroristët. Propozimi dështoi.

Nën kujdesin e tij si Ministër i Financave (nga viti 2009), kaloi paketa më e madhe ligjore e masave shtrënguese në historinë e Republikës Federale. Wolfgang Schäuble nuk bëri vetëm miq me këtë vendim. Gjatë krizës së euros, ai u bë armik i shumë grekëve sepse vendosi disiplinë të rreptë kursimesh në vend.

Posti më i mirë – kryetar Parlamenti

Në tetor 2017, Wolfgang Schäuble u bë president i Bundestagut – njeriu i dytë në shtet. Por për të ishte ndoshta zgjidhja më e mirë e mundshme. Wolfgang Schäuble ishte shumë i respektuar në këtë post dhe një nga oratorët më të mirë. Me mendjen e tij të mprehtë, kuptimin e thellë të demokracisë dhe humorit gjerman, ai i drejtonte seancat e Bundestagut si askush tjetër.

“Parlamentari i pasionuar” ndoshta kishte gjetur pozicionin e tij të ëndrrave. Ai edhe për AfD-në populiste dhe rebele të krahut të djathtë të respektonte rregullat parlamentare – me kundërfjalime të mprehta, qortime dhe gjoba. Por ai qortonte edhe kancelaren Angela Merkelkur ajo e kalonte kohën e saj të të folurit. Schäuble ishte një autoritet i padiskutueshëm parlamentar dhe i tillë

tillë qëndroi deri në fund, edhe pas zgjedhjeve të vitit 2021 kur ishte vetëm një deputet “normal” i Bundestagut. Dikush si Wolfgang Schäuble nuk mund ta imagjinonte kurrë të mos ishte më anëtar i Parlamentit.

Wolfgang Schäuble - shuhet një institucion politik gjerman


Wolfgang Schäuble dhe Angela MerkelFotografi: Andreas Rentz/Getty Images
Burim frymëzimi edhe në pleqëri

Wolfgang Schäuble mbeti një burim idesh, një vizionar politik konservator dhe burim frymëzimi deri në pleqëri. Ai gjithmonë kërkonte sfida intelektuale. Në fillim të vitit 2021 ai publikoi një libër me titull: “Përvojat e kufijve – si rritemi nëpër kriza”. Libri është diçka si kredo e jetës së tij si politikan. Ai tregonte kuriozitetin e Schäuble-s, i gëzohej shkëmbimit të argumenteve dhe argëtohej me risitë. Wolfgang Schäuble e shihte edhe pandeminë korona si një mundësi për të kapërcyer “palëvizshmërinë” në Gjermani. “Shumë njerëz në vendin tonë mendojnë se ndryshimi është i nevojshëm”, thoshte ai.

Një fjali mund të jetë ndoshta edhe lajtmotiv i jetës së tij: “Ne kemi lirinë për ta bërë botën në të cilën jetojmë më të mirë, kemi lirinë të bëjmë gjëra të mëdha”. Wolfgang Schäuble besonte në këtë, në kohën e jetës së tij. Ai la pas vete gruan e tij Ingeborg dhe katër fëmijë. /DW




Skip to toolbar