Xhafaj: 6 dhjetori dita për të mikpritur BE, jo dita për ta shpallur nongrata!

Më të fundit


6 dhjetori dita për të mikpritur BE, dita për përspektivën europiane të rinisë shqiptare, jo dita për ta shpallur atë nongrata!

Për Shqipërinë ka një tjetër lajm shumë të mirë ndërkombëtar: Më 6 dhjetor, Tirana jonë, qyteti europian i rinisë bëhet mikpritëse e Samitit BE-Ballkan Perëndimor, duke u shndërruar në pikënisje të vendimmarrjes së liderëve europianë për prespektivën e të rinjve shqiptar dhe të ardhmen e gjithë ballkanit perëndimor. Krenari e nder për shqiptarët dhe gjithë kombin shqiptar. Shpresoj një sinjal shumë i mirë edhe për ardhmërinë europiane të Kosovës, procesin e saj të integrimit të mëtejshëm.


Ndërkohë një tjetër haber shumë i keq prodhohet nga SHQUP-i: Më 6 dhjetor një çetë politikanësh shqiptar me komandant NONGRATA-n po përgatit që të nxjerrë në shesh protestues, edhe me forcë në përballje me policinë, në shkelje të ligjit, për të refuzuar mikpritjen shqiptare. Të mençur dhe patriot JO e JO, por as shqiptarë nuk qenkan! Njollë e turpshme në historinë e traditën shqiptare mbyllja e derës së mikut, dhe çfarë miku. Mik për ditë të mira dhe të këqija. TURP!

Në gjithë këto vite tranzicioni të gjatë ka pasur dhe ka në politikë plot faqezinj që i kanë bërë dhe i bëjnë dëm të madh zhvillimit e imazhit të vendit, përparimit të kombit shqiptar me politikat destruktive, konfliktin dhe korrupsionin. Ka gjëra që ndër vite janë bërë keq në këtë vend, që mund të bëheshin dhe bëhen shumë më mirë. Është kjo ndër arsyet pse jemi aq shumë të vonuar në procesin e integrimit, pse shqiptarët janë larguar dhe po largohen nga vendi, pse të rinjtë shpresojnë gjithnjë e më pak te politika e institucionet në këtë vend. Shqiptarët largohen prej nesh, ndër të tjera edhe prej politikave tona të gabuara dhe klimës politike që nuk ofron besim dhe shpresë për ta. Disa të marrë e faqezinj po shkojnë deri në marrëzi, dashkan edhe t’ju shpallin NONGRATA ëndrrën europiane!

BE vjen në Tiranë për të dhënë më shumë shpresë e besim, por dhe mesazhe e politika mbështetëse të drejtëpërdrejta për të ardhmen tonë perëndimore, për ta ndihmuar rininë të ndërtoj jetën këtu, në vendin e tyre. Disa nga ne duan të dalin në rrugë për t’i thënë JO shpresës, për t’ju thënë të rinjve e të rejave se ky vend nuk bëhet se ende ka një tra barrikadë – politika e vjetër e konfliktit, destruktivitetit e dhunës, politika që nuk do shtet, por vetëm pushtet

Liderët e BE po zbarkojnë në ballkan, në Tiranë për të treguar se jemi të gjithë europianë, se ata duan të na kenë mes tyre. Besoj edhe njëlloj ndjese për çfarë ata mund të bënin më mirë e mund të bëjnë ende për rajonin tonë. Kryesorja besoj se kjo është edhe një dorë e zgjatur për të udhëtuar së bashku si europianë, duke na kërkuar për të punuar bashkërisht edhe më fort në konsolidimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës.

Integrimi në BE një ëndërr e shumëpritur, por fatkeqësisht shumë e vonuar. Edhe për fajin tonë. Tashmë jemi në prag të saj. Ky samit mbetet vlerë dhe mbështetje e madhe për ne shqiptarët, por njëkohësisht është veçanërisht një përgjegjësi e lartë për politikën dhe institucionet tona në procesin e integrimit europian.

I bindur se shqiptarët, pavarësisht bindjeve politike, krahinore a fetare i ka bashkuar e do ti bashkojë përherë flamuri, bindja se i përkasin familjes së madhe euro-atlantike! Ndaj edhe do të refuzojnë fort çdo frymë përçarëse dhe turpëruese për traditën tonë, për vokacionin tonë perëndimor, për të ardhmen e fëmijëve tanë! 🇦🇱🤝🇪🇺




Skip to toolbar