16 urdhër-arreste janë lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit, e cila me ndihmën e një bashkëpunëtori të drejtësisë, ka zbardhur rreth 20 ngjarje kriminale në vend.
Masat e sigurisë të lëshuara janë ekzekutuar gjatë kësaj të mërkure në qytetin e Lushnjës dhe Elbasanit, ku edhe vepronin anëtarët e grupit që kryente krime me pagesë.
Burime për Televizionin Klan thanë se mes ngjarjeve të zbardhura janë katër vrasje, shpërthime me tritol, tentativë vrasje dhe gjobëvënie.
Në kuadër të të njëjtit operacion, Policia e Shtetit kreu kontrolle në dhjetra banesa me vendim të gjykatës.
Ngjarjet janë zbardhur si rezultat i bashkëpunimit të shtetasit Artan Marjus Tafani, i cili në Qershor të këtij viti grabiti një exchange në zonën e Astirit.
Gjatë kohës që kreu grabitjen e rreth 30 mijë Eurove, policia e kishte atë nën hetim si pjesëmarrës në një ngjarje kriminale të ndodhur më herët.
39-vjeçari pas arrestimit për grabitje me armë, vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë duke nxjerrë emra të rëndësishëm të botës së krimit dhe treguar mbi ngjarje që kishin mbetur pa autor.
Për shkak të operacionit i cili është në vijim, burimet janë të rezervuara sa i takon emrave të personave ndaj të cilëve është lëshuar një masë sigurimi, apo edhe ngjarjeve konkrete.