Zbardhen debatet në gjyq / Grupi i Berishës dhe PD e Bashës përplasen për vulën!

Më të fundit


Gjykata tërhiqet në Dhomë Këshillimi për të shqyrtuar kërkesën për mos legjitimim të Enkelejd Alibeajt dhe ankimit që ka bërë, sipas gazetares së Top Channel. Anila Hoxha.

Gjykata e Apelit pasi u kthye nga dhoma e këshillimit vendosi që për kërkesën mbi legjitimimin e palës tjetër në këtë proces, të shprehet në fund pasi të dëgjojë palët.


Ivi Kaso, përfaqësues ligjor i grupimit të ish-kryeministrit Sali Berisha kërkoi në nisje të seancës për vulën e Partisë Demokratike mos pranim të ankimit të Enkelejd Alibeajt.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Lulzim Bashës, Rezart Kthupi, tha se thelbi i gjykimit nuk është se kush është pala, por kush ka tagrat e përfaqësimit të palës.

Pjesë nga diskutimi:

Gjyqtarja: A ka kërkesë paraprake tha gjykata?

Ivi Kaso përfaqësues i Berishës: Kërkojmë mos pranim të ankimit të Enkelejd Alibeaj. Nëse gjykata e gjykon të arsyeshme, momenti kohor që paraqitet kjo kërkesë.

Rezart Kthupi, përfaqësues i Bashës: Nëse doni të dëgjoni vendimin e gjykatës së lartë është shprehur në mënyrë eksplicite duke konstatatuar se gjykata e apelit se jemi në kushtet e një pale, palë është subjekti Partia Demokratike që është subjekt juridik, në rastin e personit juridik përfaqësimi i tij bëhet nga organet> në rastin konkret jemi në kushtet në vijimësi të ushtrimit të kryetarit të partisë, me autorizim apo në vetë të parë fillimisht nga basha dhe më pas nga Alibeaj. Ajo që pretendohet është pavlefshmëria e momentit kur autorizimi është lëshuar. Thelbi i gjykimit nuk është se kush është pala, por kush ka tagrat e përfaqësimit të palës.

Gjykata e Apelit në Tiranë pritet të vendosë se cila palë do të mbajë vulën e Partisë Demokratike.

Trupi gjykues përbëhet nga relatore Alma Ahmeti e anëtarë Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Kujtojmë se në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për çështjen. Gjykata e Lartë u shpreh se Gjykata e Apelit nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes.

Vendimi i Gjykatës së Lartë

Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe, të cilat e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”. Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit. Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural.

Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuar tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Gjykata e Lartë vlerëson se në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, Gjykata e Apelit vendos mospranimin e gjykimit të padisë, ose pushimin e gjykimit të padisë.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë”, – thuhet në vendim.

Gjithashtu, gjykata thekson se rezulton i provuar fakti se, Komisioni i Rithemelimit është krijuar dhe miratuar nga mbledhja e Kuvendit të Partisë Demokratike të datës 11.12.2021, i thirrur sipas parashikimeve statutore nga ¼ e anëtarëve/delegatëve të Kuvendit Kombëtar.

“Në këtë kuvend është pretenduar se një nga vendimet e marra prej tij është edhe vendimi për shkarkimin nga detyra të kryetarit të PDSH, z.Lulzim Basha, i cili ka si funksion përfaqësimin e subjektit PDSH te të tretët. Megjithatë, pavarësisht se kërkesa është paraqitur nga Komisioni i Rithemelimit dhe gjykata është investuar në një gjykim gracioz, ankimi ndaj vendimit të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë është ankimuar në shkallë të dytë gjykimi nga kryetari i PDSH Lulzim Basha, përfaqësuar me autorizim nga deputeti Enkelejd Alibeaj.

“Në arsyetimin e vendimit të saj, Gjykata e Apelit ka arritur në konkluzionin se z.Lulzim Basha vijon të jetë kryetar i PDSH, duke e kufizuar arsyetimin e saj ligjor në faktin se kërkesa për heqje dorë nga funksioni i kryetarit të PDSH nga ana e z.Lulzim Basha nuk është formalizuar me shkrim, si dhe nuk është depozituar në regjistrin e partive politike”, – citohet vendimi i Gjykatës së Lartë.

Megjithatë, kjo gjykatë nuk ka vlerësuar dhe nuk ka marrë në analizë të detajuar faktin nëse ndryshimet statutore të miratuara nga Kuvendi Kombëtar i datës 17.07.2021, në të cilin z.Lulzim Basha është rizgjedhur Kryetar i PDSH janë regjistruar në regjistrin e partive politike apo jo, si dhe nëse kanë prodhuar efekte juridike këto ndryshime.

“Gjithashtu, Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar dhe nuk ka konkluduar nga pikëpamja e faktit dhe e ligjit se, çfarë efekti ligjor dhe rëndësie nga pikëpamja juridike ka mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Kombëtar të PDSH, si dhe vendimet e marra në këtë Kuvend, ku disa prej këtyre vendimeve kanë të bëjnë me shkarkimin e organeve drejtuese të PDSH (një prej të cilëve Kryetari i PDSH z. Lulëzim Basha) dhe krijimin e organeve të reja drejtuese, sikurse është edhe Komisioni i Rithemelimit.




Skip to toolbar