Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj deklaratës së një dite më parë të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili e quajti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky një “diktator”.
Zëdhënësi i BE-së, Stefan de Keersmaecker, theksoi se Ukraina mbetet një shtet demokratik, ndërsa Rusia e drejtuar nga Vladimir Putin nuk është e tillë.
“Ukraina është një demokraci, Rusia e [Presidentit Vladimir] Putin jo,” deklaroi ai, duke nënvizuar qëndrimin e qartë të BE-së për këtë çështje.
Ai shtoi gjithashtu se Zelensky është zgjedhur në mënyrë legjitime përmes një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe demokratik.
Bashkimi Evropian mbetet një nga mbështetësit kryesorë të Ukrainës, edhe pse vendi ende nuk është anëtar i bllokut.
Kujtojmë se marrëdhënia mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky duket se ka arritur një pikë pa kthim. Trump e ka quajtur Zelenskyn një “diktator” të cilit i ka përfunduar mandati dhe që refuzon të kryejë zgjedhje.
Trump vijoi sulmet ndaj presidentit ukrainas dhe në postimet e tij në rrjetet sociale, duke e cilësuar Zelenskyn një “aktor humori” që ka shpenzuar 350 miliardë dollarë të SHBA-ve për një luftë të pakuptimtë.
Deklaratat e Trump erdhën pasi Zelensky tha se Trump jeton mes dezinformatave ruse.