Zelensky: Forcat ukrainase kanë çliruar 6 mijë kilometra katrorë

BOTA


Forcat ukrainase kanë arritur të sigurojnë edhe më shumë territor nga Rusia, teksa vazhdojnë prej ditësh me kundër-ofensivën. Lajmin e dha vetë presidenti Volodimir Zelensky, në një video të publikuar vonë mbrëmjen e të hënës, kur theksoi se trupat e tij kanë rimarrë më shumë se 6 mijë kilometra katrorë sipërfaqe, që prej fillimit të shtatorit, kryesisht në lindje dhe jug të vendit.

Vetë Rusia e ka pranuar se ka humbur kontrollin në disa qytete, që ajo vetë i konsideron kyçe, në veri-lindje të rajonit Kharkiv, në atë që shumë ekspertë ushtarakë e quajnë një thyerje potenciale e Rusisë në luftë.


Moska ka thënë po ashtu se po i tërheq vetë trupat e saj nga këto rajone, për ti rigrupuar, me synimin që para dimrit, të fokusohet tek rajonet lindore, Luhansk e Donjetsk. Edhe nga SHBA, ky shihet si momenti më i turpshëm i Rusisë, që kur tentoi të hynte në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në fund të marsit, ku edhe dështoi.

Duke folur po ashtu të hënën në mbrëmje, sekretari amerikan i shtetit Anthony Blinken tha se forcat ukrainase kanë bërë përparim të rëndësishëm në kundër-ofensivën e tyre por është ende herët për të parashikuar një triumf.

Avancimi i ushtrisë ukrainase ka qenë i shpejtë. Vetëm të enjten e shkuar, presidenti Zelensky tha se forcat ukrainase kishin rimarrë 1000 km katrorë, të dielën arritën në 3 mijë e sot janë në 6 mijë km katrorë.




Skip to toolbar