Zgjedhje më 13 tetor? Sokol Balla: Iluzion i presidentit

AKTUALITET


Data 13 tetor është një ditë pushimi për KQZ-në, jo një ditë zgjedhjesh lokale sipas dekretit të presidentit. Për gazetarin Sokol Balla kjo datë është një iluzion i presidentit, pasi zgjedhjet janë bërë më 30 qershor edhe pse ishin të cunguara nga mungesa e opozitës.

Z.Balla, pas votimeve të 30 qershorit, të cilat u zhvilluan në bojkot të opozitës dhe pas anulimit të tyre me dekret nga presidenti, një datë tjetër zyrtare e dekretuar prej tij është në fuqi, ajo e 13 Tetorit. Çfarë do të ndodhë me këtë dekret sipas jush? A do ketë zgjedhje të reja më 13 tetor? Si e vlerësoni rolin e presidentit në këtë krizë?


Zgjedhje patëm në 30 qershor, qenë të cunguara si zgjedhje demokratike për shkak të aksionit të dështuar të Bashës. Kolegji Zgjedhor, organi më i lartë pa të drejtë rekursi i vendimeve për zgjedhjet e ka zgjidhur këtë dilemë. Presidenti, i cili ka nisur një rrugëtim të tij për kushedi se ku, shpalli një dekret të tretë për një palë zgjedhje dhe tani kërkon edhe zgjedhje presidenciale në një Republikë, ku kreu i shtetit zgjidhet nga parlamenti.

Nëse Gjykata Kushtetuese ngrihet para 13 tetorit dhe nëse vlerëson dekretet e Metës si kushtetuese, ndoshta kjo datë hyn në kalendar. Deri atëherë mbetet pjesë e iluzioneve apo deluzioneve të presidentit dhe që po ua përçon dhe disa partive të vogla, për zgjedhje në 13 tetor, një ditë pushimi edhe për KQZ. As Gjykata Kushtetuese nuk merr vendim deri në 13 tetor dhe askush nuk do dalë atë ditë për votime, vetëm nëse presidenca bën kuti votimi me kartona dhe cakton Tedi Blushin për të drejtuar nga Facebook-u procesin. Po pastaj këtu hyjmë te patologjitë klinike, unë kam mbaruar shkollën për gazetar, jo për doktor.

Zgjedhjet e 30 qershorit krijuan një precedent duke i lënë në dorë gjithë pushtetin lokal një partie dhe duke bërë zgjedhje me një kandidat në disa qytete, gjë që rrëzon parimin kryesor të zgjedhjeve demokratike. A besoni se faktori ndërkombëtar që i pranoi zgjedhjet në këto kushte do t’i certifikojë ato si të lira dhe demokratike?

Faktori ndërkombëtar do certifikojë procesin teknik, por procesin politik dhe mundësinë e zgjedhjes e shkatërruan partitë politike, më saktë ata që bojkotuan. Ndërkombëtarët certifikimin ua kanë lënë institucioneve shqiptare, njëlloj si gjetjen e zgjidhjes së krizës.

Kriza po thellohet mes palëve dhe nuk duket se ka shenja dialogu mes tyre. Por nga ana tjetër vihet re një përgatitje elektorale me PS-në që riorganizoi partinë dhe me PD-në që ka nisur një tur në rrethe. A mos ka nisur një fushatë për një palë zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme, që kërkohen me ngulm dhe nga opozita? Sa shanse ka të ndodhë kjo dhe si mund të shkohej drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Mazhoranca ka marrë pjesë në zgjedhje. Partia Demokratike jo. Nuk di për çfarë po përgatitet PD-ja kur s’pranon asnjë negociatë me Ramën kryeministër. Rama nuk ikën se e thotë Basha. E provoi këtë 6 muaj dhe tani po rrezikon të ikë vetë, pas lëvizjes së lajmëruar kundër tij në bazën e PD në shtator. Nuk më rezulton që zyrtarisht opozita do zgjedhje të parakohshme. Ka zëra individualë, por Basha me sa di, kërkon qeveri tranzitore dhe jo zgjedhje. Gjithsesi, nëse do vijë ajo ditë që Basha vërtet do të kërkojë të hyjë në zgjedhje do të bëjmë të gjithë festë, pa përjashtim.

Një tjetër datë e rëndësishme është shënuar në kalendar në tetor, ajo e 18 tetorit kur pritet një tjetër përgjigje nga Brukseli për çeljen e negociatave. Sa shanse ka sipas jush Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive pas disa refuzimesh dhe a është vetëm kriza politike ndikuese në këtë përgjigje apo pesha kryesore i bie qeverisë për plotësimin e kushteve?

Nuk ka patur refuzim, ka patur disa herë shtyrje. Herë për fajet tona, herë për hallet e Europës. Unë mendoj se tetori është një datë optimiste për marrjen e datës për çeljen e negociatave. Kujtoj se de facto negociatat kanë filluar prej dy vjetësh, për dy kapitujt më të rëndësishëm mos gaboj, 23 dhe 24. Për sa u përket përgjegjësive, në raport-progres cilësohet ku është përgjegjësia e ekzekutivit dhe aty ai ka marrë vlerësimin pro hapjes. Kur vjen puna te Shqipëria, sigurisht përgjegjësi kanë të gjithë, por me kaq herë sa po na e shtyjnë këtë punë, pak rëndësi ka kush e ka përgjegjësinë, të vetmit të shqetësuar duken Ilir Meta dhe Olti Curri./MAPO/




Skip to toolbar