Zgjedhjet, KQZ certifikon rezultatin në Kosovë/ Pas dy muajsh, i hapet rruga formimit të institucioneve të reja

KOSOVA


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Kundër certifikimit të rezultateve votuan dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, pasi sipas tyre duhet pritur të gjitha mundësitë ligjore në lidhje me pretendimet e tyre për manipulim të votave me postë nga LDK-ja, raporton KosovaPress.

Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind dhe Lista Serbe 4.26 për qind.

Paraprakisht, në mbledhjen e sotme të KQZ-së u zhvillua debat në lidhje me zëvendësimin e tre kandidatëve që kanë dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.

Megjithatë, KQZ-ja zëvendësoi Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmeti me Arben Gashin dhe Paris Gurin nga LDK-ja, ndërsa Bedri Hamzën me Rashit Qalajn nga PDK-ja.

Muhaxheri, Ahmeti dhe Hamza kanë vendosur të mbajnë postin e kryetarit të komunës. Sipas nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeverisë aktuale i kufizohen kompetencat.

Në këtë nen thuhet se Qeveria nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit, nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara, e as të emërojë njerëz në pozita publike.

Procedurat për formimin e institucioneve të reja janë të parashikuara në Kushtetutë dhe ligje të tjera, siç shpjegon teksti në vijim.

Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve hapi i parë është konstituimi i përbërjes së re parlamentare dhe pastaj i formimit të Qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet që brenda 30 ditësh të thërrasë seancën konstituive të Kuvendit.

Gjatë kësaj seance, deputetët e rinj bëjnë betimin dhe më pas zgjedhin kryetarët dhe nënkryetarët.



Skip to toolbar